Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB COVID frame 0 1100x620

Kreu i Asamblesë Kombëtare të Turqisë, vizitë dyditore në Tiranë

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Şentop, dhe delegacioni i tij shoqërues parlamentar viziton sot Tiranën në një qëndrim dyditor. Takimin e parë me përfaqësues të politikës shqiptare, ai do ta ketë me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, në orën 10:30, që do të pasohet nga një drekë nderi.

Po sot pritet të takohet edhe me presidentin e Republikës dhe kryeministrin për të vijuar nesër me ditën e dytë të vizitës në qytetin verior të Shkodrës.

Vizita e Sentop në vendin tonë vjen në një kohë kur Turqia është angazhuar në ndërtimin e spitalit të ri të Fierit.

Shqipëria regjistroi dje për herë të parë mbi 1 mijë të infektuar në 24 orë

Nuk dha asnjë efekt apeli i autoriteteve shëndetësore në vendin tonë për respektimin e masave anti-covid. Shqipëria regjistroi dje për të parën herë më shumë se 1 mijë të infektuar në 24 orë. Shqetësues mbetet numri i lartë i të shtruarve në spitale. 404 persona po marrin trajtim mjekësor. Sipas shefit të Urgjencës, Skënder Brataj shkak i numrit të lartë është bërë pakujdesia, temperaturat e ulëta, qëndrimi në ambientet e mbyllura, festat, mosrespektimi i masave”, tha Brataj mbrëmë te “Ditari” me Denisa Pashollin.

Partitë politike në Kosovë nuk respektojnë masat për pandeminë në fushatë

Edhe Kosova nuk ka mundur dot të menaxhojë pandeminë sikurse shumë shtete të tjera dhe në mesin e saj partitë politike, ndonëse e kanë vënë në fokus të programeve të tyre qeverisëse përballjen me të, duket që nuk po respektojnë as masat parandaluese gjatë tubimeve të mbajtura. Në një deklaratë për mediat, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemraj, tha se vaksinat e para për popullatën pritet të vijnë në shkurt, por mesa duket e vetmja lëvizje në këtë drejtim mund të jetë dhurimi nga qeveria. Edhe ministri i BE-së në Kosovë e konfirmoi që vaksinat nuk vijnë këtë muaj. “Kosova është planifikuar të marrë mbi 100 000 doza vaksinash falas në gjysmën e parë të vitit 2021 përmes COVAX të mbështetur nga BE-ja. Më shumë vaksina do të mbërrijnë në gjysmën e dytë të vitit”, ka shkruar Tomas Szunyog në Twitter.

BE samit për vaksinat dhe pandeminë

Pandemia e koronavirusit dhe problemi me vaksinat do të bëjë bashkë në një samit të radhës liderët e BE-së. Lajmin e njoftoi në rrjetet sociale zëdhënësi i Këshillit Evropian, Barend Leyts, sipas të cilit konferenca online do të mbahet më 25 shkurt, pothuajse një muaj nga takimi i fundit. Temat e diskutimit pritet të jenë vaksinat, masat, problemet, kufijtë dhe të tjera çështje që lidhen me popullatën evropiane.

Vuçiç telefonatë me Putin, mes disa çështjeve edhe Kosova

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, pati një telefonatë ditën e djeshme me homologun rus, Vladimir Putin. Midis çështjeve të shumta si pandemia, vaksina dhe gjeopolitika mësohet se të dy presidentët janë ndalur edhe te çështja me Kosovën pas hapjes, njohjes më të fundit nga ana e Izraelit. Mediat serbe raportojnë se Vuçiç ka kujtuar qëndrimin e tij për një zgjidhje në mënyrë të paqme me Kosovën. Edhe nga Kremlini ndërkohë njoftohet se Putin gjithashtu ka konfirmuar qëndrimin e tij parimor për gjetjen e një zgjidhjeje të ekuilibruar që duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Mario Dragi pranon detyrën, sot ulet me palët për të marrë mbështetje

Personi të cilit i është besuar formimi i qeverisë së re në Itali, Mario Dragi, ulet sot me palët për të marrë mbështetjen e tyre. Kriza shëndetësore prek jetët e të gjithë njerëzve, ekonominë dhe shoqërinë. Nisur nga ky parim Dragi do të përpiqet të bëjë bashkë palët politike. Ai duket i bindur se do mund ta arrijë këtë gjë dhe t’i japë zgjidhje situatës së krijuar në vendin fqinj. Takimet bëhen pasditen e sotme në Presidencë. Berlusconi në opozitë thotë se është i hapur ta dëgjojë planin e tij dhe pse jo, t’i japë edhe mbështetjen meqë e njeh ekonominë duke pasur një karrierë të pasur, përfshirë edhe BQE.

Irani paralajmëron SHBA, kërkon tërheqjen e trupave nga rajoni

Pasi i vuri kufi Amerikës për rikthimin në planin bërthamor, Irani shkon edhe më tej teksa vendos veton edhe mbi praninë e forcave amerikane nga rajoni. Presidenti i ri i SHBA-së, Joe Biden duhet ta mendojë seriozisht faktin se prania e forcave amerikane në rajon nuk garanton sigurinë e tij dhe të popullit të tij, andaj do ishte mirë që këto trupa të tërhiqeshin. Ky ishte apeli më i fundit që bëhet nga presidenti i vendit, Hassan Rouhani.

Manchester City shkëputet në krye të Premier League

Ndërsa kundërshtarët gabojnë javë pas jave, Manchester City nuk njeh ndalesa madje arriti fitoren e nëntë me radhë duke u shkëputur i vetëm në krye të Premier League. Skuadra e Guardiolas ka një ecuri mbresëlënëse këtë sezon dhe janë ata pretendentët kryesorë për titull. Suksesi i nëntë radhazi erdhi falë fitores 2-0 ndaj Bërnlej. Dy gola brenda pjesës së parë nga Gabriel Hesus dhe Rahem Sterling i dhanë fund historisë edhe të këtij takimi. Me një fitore në ndeshjen e prapambetur, “sitizens” mund ta çojnë në 6 pikë distancën nga vendi i dytë ku janë rivalët e qytetit. Zhgënjen sërish Liverpool që po zhvillon një ndër sezonet më të dobëta të viteve të fundit. Të kuqtë e Jurgen Klopp u mundën nga një tjetër skuadër inferiore. Brajton fiton 1-0 në Anfilld dhe i shkaktoi kampionëve të Anglisë humbjen 3 në 6, ndeshjet e fundit në Premier League.               

Kupa e Mbretit, kualifikim dramatik i Barcelonës në finale

Kualifikim i çmendur i Barcelonës në Kupën e Mbretit. Rezultati final i ndeshjes me Granada-n është 5 me 3 në favor të katalanasve, por rrjedha e takimit çerekfinal është me të vërtetë dramatike. Katalanasit ishin në disavantazh të dy golave deri në minutën e 88-të duke krijuar përshtypjen e një tjetër humbjeje të bujshme por, në sekondat e fundit, Antua Grizman dhe Zhordi Alba, gjetën forca për të barazuar rezultatin e për ta dërguar ndeshjen në shtesë. Sërish Grizman i jep avantazhin skuadrës së Kuman që megjithatë barazohet brenda një kohe të shkurtër nga një 11 metërsh i saktë i Granada-s. Por Barça ka motivimin dhe moralin në maksimum e, për rrjedhojë, De Jong e Zhordi Alba kthehen edhe një herë në heronj, duke shmangur turpërimin e duke siguruar një vend në gjysmëfinale.

Java e 23 pa surpriza, fitojnë pretendentët

Mbetet e hapur dhe e luftuar gara për kreun në kampionatin francez. Skuadrat pretendente morën pikët e plota pas javës së 23. Paris Saint Germain bëri gjithçka si duhet, dhe mjaft thjesht përballë rivalëve të Nimes. Kampionët fituan 3-0 me golat e Di Maria, Sarabia dhe Mbappe. Lille, e cila është edhe skuadra që kryeson renditjen me 2 pikë më shumë se Paris, triumfoi më herët në të njëjtat shifra, 3-0 përballë Bordeaux. Hapin e pretendetëve për titull ka dhe Lyon, që u mjaftua me golin e Paqueta për të mposhtur Dijon e për të qëndruar përpara Paris Saint Germain në renditje.

Kupa e Gjermanisë, surpriza Rengensburg në gjysmëfinale

Në Gjermani u luajt faza e 1/8-ave të Kupës. Me eliminimin e Bajern nga modestët e Holshtein Kiel një tur më parë, në garë për trofeun janë tashmë disa skuadra shanset e të cilave janë rritur ndjeshëm. Laipizg është një prej tyre, ndërsa avancon më tej falë fitores 4 me 0 kundër modestëve të Bokum. Kriza e Shalkes nuk ka fund, me bardheblutë që u eliminuan edhe Kupa pas humbjes 1-0 ndaj Volsburg. Rengensburg është një emër surprizë që ka siguruar një vend në çerekfinale. Ekipi i Bundesligës 2, ku aktivizohet edhe sulmuesi i Kosovës, Albion Vrenezi, mundi falë penalltive ekipin e Këlnit. Nga pika e bardhë u tregua i saktë edhe futbollisti kosovar që ndihmoi skuadrën drejt kualifikimit.