Fico: E kishim paralajmëruar rritjen e rasteve, nuk është faji i qytetarëve

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Albana Fico, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se autoritetet shëndetësore e kishin paralajmëruar rritjen e rasteve me Covid-19 pas festave të fundvitit.

“E kishim paralajmëruar këtë. Në prag të fundvitit, kur folëm për respektimin e masave në atë periudhë, thamë që do të rriten numrat nëse nuk respektohen masat gjatë festave. Sa më shumë raste pozitive të kemi, aq më shumë të shtruar në spital dhe aq më shumë viktima do të kemi”, u shpreh Fico.

Por, sipas saj, “fajin nuk e kanë qytetarët”.

“Nuk mund të ketë grumbullime nëpër resorte dhe ne të kthejmë kokën nga ana tjetër. Është kollaj të marrësh masa drastike për të mbyllur çdo gjë. Gjendja psiko-emocionale është marrë në konsideratë për të mos bërë mbyllje drastike. Edhe lejimi i aktiviteteve ekonomike ishte dhe mbetet diçka që duhet të vijojë. Por, leja e dhënë u thye. Unë besoj se është situatë delikate, sidomos kur shikohen numrat e rritur nëpër spitale. Por, kemi lënë në fuqi disa masa dhe po ndjekim me vëmendje situatën dhe rastet që duken të panatyrshme, që mund të jenë viruse mutante. Duhet të bëjmë një sforco, duke nisur nga vetja, më pas autoritetet shëndetësore dhe bizneset që të mos mbyllemi”, shtoi Fico.

Kur u pyet nëse do të respektohet plani 14-mujor i vaksinimit dhe nëse do të vaksinohen me AstraZeneca moshat mbi 55 vjeç, Fico deklaroi: “Skenari për të cilin jemi përgatitur dhe dëshirojmë, është që për 14 muaj të realizojmë vaksinimin. COVAX ka një kalendar specifik që thotë saktësisht se sa vaksina do të marrë çdo vend. Por, duke u nisur edhe nga situata e vonesave të Pfizer, është e parakohshme për të thënë që për 14 muaj do ta kryejmë. Ne do të vijojmë me planin tonë të vaksinimit, por duke pasur parasysh edhe llojin e vaksinës dhe efikasitetin e saj për grupmosha të caktuara”.