Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë takon Ruçin e Metën: Së shpejti, konsullatë turke në Vlorë

ruci sentop 1100x620

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Mustafa Sentop. Ai theksoi se kanë përfunduar procedurat për hapjen e konsullatës së Turqisë në Vlorë.

“Marrëdhëniet tona dypalëshe po ecin në një nivel të mrekullueshëm që i shkon për shtat edhe miqësisë sonë historike. Sot, në takimin që pata me zotin kryetar, ne realizuam bashkëbisedime shumë të dobishme. Jam i bindur se zyrtarizmi i këtij partneriteti strategjikë do të çojë në nivele më të larta bashkëpunimet. Gjatë vizitës së Ramës u ra dakord për ndërtimin e një spitali në Fier. Dua të shpreh me kënaqësi që punimet po vazhdojnë pa ndërprerje. Duam të rrisim investimet tona në Shqipëri, në veçanti edhe në sektorin e turizmit. Kanë përfunduar procedurat për hapjen e konsullatës së Turqisë në Vlorë”.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit u ndal në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe rolin e tyre për stabilitet në rajon.

Mirënjohje e veçantë për ndihmën e madhe të Turqisë për përballimin e vështirësive të rimëkëmbjes prej pandemisë. Projekti për ndërtimin e një Spitali të ri dhe modern në Fier, në një kohë rekord, brenda 3 muajve, dhe ndihmat e tjera për shëndetësinë, janë forca e shembullit të miqësisë së vërtetë. Shqipëria vlerëson partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira e miqësore me Turqinë, në shërbim të fqinjësisë së mirë, stabilitetit, paqes, përparimit në rajon e më gjerë. Ramë dakord që ridimensionimi i bashkëpunimit parlamentar, nëpërmjet rigjallërimit  të grupeve të miqësisë, të nxisë marrëdhëniet dypalëshe. Shqipëria dhe Turqia janë partner të besueshëm në NATO dhe po punojnë shumë për të arritur objektivin e tyre kombëtar, anëtarësimin në BE.  Integrimi europian është busulla jonë e pagabueshme dhe destinacioni ynë i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm. Turqia është partneri i katërt më i madh tregtar i Shqipërisë, me një tregues investimesh prej 3.6 miliardë dollarë. Ne mirëpresim kompanitë turke të investojnë në Shqipëri”.

Kryetari i Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, Mustafa  Sentop, u pri edhe nga presidenti Meta, i cili theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik për rritjen e investimeve turke në Shqipëri.

“Vlerësova marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve tanë dhe theksova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike, me synim rritjen e investimeve turke në Shqipëri. Mirënjohje Turqisë mike dhe presidentit Erdogan për solidaritetin dhe ndihmën e pakursyer të dhënë për tejkalimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe përballimin e pandemisë COVID-19, veçanërisht për ndërtimin e 500 apartamenteve të banimit për të prekurit nga tërmeti dhe të Spitalit të Fierit”.