Matteo Renzi në CNN: Shëndetësia, ekonomia dhe edukimi, tri prioritetet për krizën në Itali

Italia ka qenë një nga vendet që e ka përjetuar më së shumti përballjen me pandeminë. Por, në debatin e madh që zhvillohet sot në botë për vaksinimin dhe shpërndarjen e tyre në Europë ka diskutuar edhe Matteo Renzi. Në një intervistë për CNN, Renzi ka treguar se beson fort te Mario Draghi, që, sipas tij, është personi që do të mund të menaxhojë më së miri këtë krizë.

Becky Anderson: Ju e mbështetët idenë e të pasurit Mario Draghi-n si kryeministër, pse dhe me çfarë sfidash besoni se do të përballet?

Renzi: Mendoj se Mario Draghi është më i miri për rolin e kryeministrit në Itali, veçanërisht në këto momente. Draghi ishte lideri i Bankës Qendrore Europiane dhe është një njeri i talentuar dhe shumë i admiruar përreth botës. Sfidat më të rëndësishme në Itali sot janë para se të gjithash tre; Vaksinimi. Fushata e vaksinimit është çelësi për të ndaluar këtë pandemi të tmerrshme; Kriza Ekonomike. Dje morëm njoftimin zyrtar për krizën e GDP-së: -8.8%, rezultati më i keq në historinë e Italisë. Dhe e treta për mua si baba dhe jo si politikan, më e rëndësishmja është kriza e edukimit, pasi për fat të keq ne jemi ndër vendet me nivelin më të ulët të prezencës së studentëve të rinj në klasa. Pra edukimi, shëndetësia dhe ekonomia. Këto janë prioritetet. Mendoj se Mario Draghi do të jetë numër një sa i përket cilësisë, kapacitetit dhe vizionit. Kjo është shpresa ime, por edhe e vendit.

Anderson: Me gjithë respektin zotëri, vendi u fut në këtë kaos politik pasi ju tërhoqët anëtarët e partisë suaj nga koalicioni qeverisës për shkak, siç e keni thënë dhe ju, nga shtyrja e planit të rimëkëmbjes ekonomike, mediat italiane po ju portretizojnë ju si “krijues krize”. Shumë po pyesin pse ju nxitët një krizë politike në këtë pikë, kur vendi po ndeshet me këtë krizë kaq të ashpër shëndetësore dhe ekonomike. Kështu që më duhet t’ju pyes, me respekt, pse tani? A besoni se italianët i kuptuan arsyet dhe pse e shkaktuat këtë krizë muajin e kaluar?

Renzi: Mendoj se nëse je një politikan, lider, dhe një njeri që mendon për fatin e vendit, nuk është e rëndësishme të ndjekësh çdo ditë sondazhet, pëlqimet në Facebook, apo postimet në Instagram. Nëse jeni një politikan me një vizion, keni përgjegjësinë dhe detyrën për të krijuar të ardhmen. Më lejoni të jem shumë i qartë, Italia është një vend i mrekullueshëm, por na nevojitet një vizion. Tani është koha për të krijuar një vizion, ekzaktësisht për t’u shkëputur nga kjo situatë krize, për të dalë nga ajo. Dhe nëse vazhdoni me ndalesat ditë pas dite, nuk do të jemi në gjendje për të krijuar atë rrugëdalje nga kriza. Kështu që, është e vërtetë që shumë persona nuk e kuptojnë arsyen se pse tani. Ashtu si rrethi im i ngushtë i miqve, familjarët dhe shumë njerëz të tjerë më kanë thënë: “Matteo, tani është koha për t’u përballur me një krizë tjetër dhe nuk mund të hapim edhe një diskutim politik”. Por, mendoj se ekzaktësisht në momentin e një krize, ne kemi përgjegjësinë të krijojmë një të ardhme. Mendoj se me Mario Draghi-n do të jemi në gjendje të krijojmë një rrugëdalje. Të jem i sinqertë, e njoh Joe Biden pasi kam punuar me të, pasi kur ishte zëvendëspresident unë isha kryeministër, në atë kohë Draghi ishte drejtor i BQE. Ideja që kemi një lidership të ri në Europë, Itali dhe Shtetet e Bashkuara, për mua është sinjal i një shpresë të madhe. Joe Biden dhe Mario Draghi do të jenë thelbësor në G20-n e ardhshme dhe marrëdhënien mes SHBA-së dhe Europës.

Anderson: Do të presim për të parë se si kjo do të shkojë. Janë mjaft pika interesante, ato që ju po nxirrni. Në fund le të diskutojmë se çfarë po ndodh aktualisht në Europë pasi kjo është një krizë absolute. Mario Draghi ishte në thelb të projekteve europiane si drejtues i Bankës Qendrore Europiane, unë dua të di mendimin tuaj për katastrofën europiane të shpërndarjes së vaksinave dhe si mendoni se Mario Draghi do të jetë në gjendje të ndihmojë Italinë dhe projektin europian si kryeministër. Sa i shqetësuar jeni ju për atë që po ndodh?

Renzi: Mendoj se kur ishim në mes të krizës euro, 6 apo 7 vite më parë,  Mario Draghi ishte italiani që shpëtoi Europën. Tani, besoj se Mario Draghi do të jetë europiani që do të shpëtojë Italinë përmes planit të rimëkëmbjes. Në të njëjtën kohë, unë e njoh Mario Draghin si dhe rregullat europiane, ne do të jemi në gjendje të shtyjmë përpara Bashkimin Europian në drejtimin e duhur sa i përket fushatës së vaksinimit, pasi siç e dini dhe e përshkruat disa sekonda më parë, ne humbën disa mundësi si europianë për sa i përket vaksinimit. Besoj se një njeri me cilësitë, aftësitë dhe lidershipin e Draghi-t, do të jetë i rëndësishëm në mbledhje e Këshillit Europian duke ndihmuar presidenten Von der Leyen dhe liderët e tjerë për të kthyer sërish Europën në rolin e lidershipit dhe jo në situata problematike. Kështu që jam besimplotë për Italinë, ashtu edhe për Europën.