“Në të njëjtën klasë me shtetet e BE dhe SHBA”, Rama tregon vlerësimin e organizmave ndërkombëtare për Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama, në një mesazh në rrjetet sociale, deklaroi se dy organizma ndërkombëtare kanë bërë vlerësime shumë të mira për vendin tonë.

“Në vlerësimin e fundit të raportit prestigjioz “Indeksi i demokracisë”, nga njësia e inteligjencës së “The Economist”, Shqipëria, për herë të parë pas 3 dekadash, ka një rritje dhe praktikisht kapërcim. Ka dalë nga kategoria regjim hibrid, duke shkuar në një kategori më të lartë. Jemi futur në klasë, sipas indeksit, jo sipas meje, me shtetet e BE-së dhe SHBA. Vendet e tjera të rajonit, si Bosnja, Mali i Zi apo Maqedonia renditen ende tek regjimet hibride”, deklaroi Rama.

Sipas tij, “vlerësohet qeveria për reformat demokratizuese”, dhe sidomos “Reformën Elektorale”.

“Aq e diskutuar dhe e mallkuar, konsiderohet si një ndër arsyet kryesore të këtij përmirësimi sepse me këtë reformë dhe me çmontimin e formulës së vjetër të koalicioneve, ka hyrë vendi jonë në një klasë tjetër. Nuk ka vend për të qenë të lumtur, pasi besoj se ka potencial për të arritur shumë më shumë. Por, institucionet ndërkombëtare i bëjnë vlerësimet e tyre mbi bazë faktesh, jo agjendash politike”, u shpreh Rama.

Më tej, kryeministri theksoi se edhe “raporti i sapodalë i Standard and Poor’s, konfirmon për Shqipërinë qëndrueshmëri dhe perspektivë të qëndrueshme, gjë që nuk ndodh me shumë vende të tjera”.

“Parashikohet që ekonomia shqiptare do të rritet me 4,5%, nëse nuk ka valë tjetër që na detyron të mbyllemi sërish”, nënvizoi Rama.