Partitë e reja shkojnë të parat në KQZ, Shpëtim Idrizi nuk “pret” Bashën për 25 prillin

topalli 1100x620

Partitë e reja do të jenë të parat që do të regjistrohen për zgjedhjet parlamentare. Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit do të shqyrtohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si subjekte zgjedhore që kërkojnë votën e shqiptarëve në 25 prill.

Krahas dy partive të reja, në listë për t’u regjistruar është edhe PDIU e Shpëtim Idrizit, Bindja Demokratike e Astrit Patozit, së bashku me 6 parti të tjera të vogla që kanë marrë pjesë edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Krahas kësaj, në tryezën e KQZ do të jenë edhe kërkesat për regjistrimin e komiteteve nismëtare për mbledhjen e firmave për futjen në garën e 25 prillit kandidatët Pal Shkambi në qarkun e Shkodrës dhe Plaren Aleksi në qarkun e Beratit.

Aleksi ka kandiduar si i pavarur edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2019 në bashkinë e Beratit përball Ervin Demos të PS.

Pal Shkambi, nga ana e tij, kandidon për të disatën herë në zgjedhje. Në vitin 2013, nën logon e   Partisë Popullore Kristiandemokrate Shqiptare, e cila më shumë se sa për numrin e votave që mori, u mbajt mend për gjobën që i vendosi KQZ për mos respektimin e kuotës gjinore, pasi kishte diskriminuar burrat. Pavarësisht angazhimit në politikë, ai arrit të zgjidhej si anëtar zëvendësues në KPA në vitin 2017, por që nuk e ushtroi asnjëherë këtë funksion.

Këto parti dhe kandidat të pavarur shënojnë edhe fillimin e plotësimit të listës së subjekteve zgjedhore në fletën e votimit të 25 prillit dhe sipas afateve në Kod, data e fundit për regjistrimin e partive është 14 shkurti, ndërsa 24 shkurti afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve. Këto afate mbyllen më datën 6 mars, ku në KQZ duhet të jenë depozituar edhe kandidatët e 25 prillit.