Shabani në “Absolut 4”: Vota e emigrantëve kryesisht opozitare, asnjë qeveri nuk do rrezikonte

Në diskutimet për votimin e emigrantëve në “Absolut 4”, koordinatori i nismës “Thurje”, Endri Shabani, solli një këndvështrim krejt ndryshe se përse asnjë qeveri nuk dëshiron që të mundësojë votën e tyre.

Shabani shprehu mendimin se duke qenë se shqiptarët jetojnë kryesisht në vende demokratike, ata kanë një model se si qeveriset dhe kjo arsye i bën ata opozitarë me qeveritë shqiptare. Për këtë arsye, sipas tij, asnjë qeveri nuk ka ndërmend të marrë një risk të tillë.

“Unë mendoj që një pjesë e këtyre që janë në diasporë kanë votuar me këmbë. Ata kanë ikur sepse kanë qenë të pakënaqur me mënyrën se si qeveriset Shqipëria. Shpesh kjo krijon shqetësim për çdo qeveri.

E dyta ata shkojnë në vende demokratike dhe atje kanë një model krahasues dhe janë votë opozitare. Dhe që të votojnë emigrantët duhet që ai që është në pushtet të marri masa për ta bërë realitet. Pra është një lloj rreziku për atë që është në pushtet pasi mund të votojë kundër tyre”, tha Shabani.