SPAK nis hetim për “korrupsion” dhe “pastrim parash”

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Orangizuar, SPAK, ka nisur hetimet pas publikimit të përgjimeve të Antimafias italiane lidhur me dyshimet për pastrim parash nga ‘Ndragheta në Shqipëri.

Hetimi pa emra personash të dyshuar është regjistruar për veprat penale të “korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “grup të strukturuar kriminal”, “pastrim parash”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Procedimi penale i regjistruar kryesisht në 25 janar u konfirmua zyrtarisht këtë të enjte pak çaste pas përfundimit të një takimi në selinë kombëtare të Antimafias në Itali të kreut të SPAK, Arbën Kraja dhe kreut kombëtar të Antimafias në vendin fqinj, Frederico Caffiero De Raho. Në takimin koordinues merrnin pjesë edhe prokurorë italianë dhe Shqiptarë.

Sipas SPAK, hetimi nisi bazuar në artikujt e publikuar në media të ndryshme mbi hetimet e prokurorisë së Katanxaros. Publikimi i përgjimeve të dosjes javën e tretë të janarit trazuan skenën politike në vend, për shkak se anëtarë të dyshuar të grupit kriminal, një prej të cilëve biznesmen në Shqipëri, fliste për projekte investimesh infrastrukturore, si edhe përfitime tenderësh publike për shkak të njohjeve me funksionarë publike, apo njerëz pranë tyre.

Në njoftimin zyrtar SPAK garantoi publikun se ishte e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbente indicie për veprimtari kriminale në Shqipëri, lidhur me hetimet e Antimafias së Katanxaros.