Vota e diasporës, Krasniqi: Nuk ka vullnet politik, mund të ndryshojë balancat në vend

4 SHKURT ABSOLUT 4 P1 frame 13131 1100x620

Në emisionin e së enjtes në “Absolut 4” u rikthye në vëmendje çështja e votës së emigrantëve. Një premtim ky që është bërë nga të gjitha qeveritë, por që asnjëherë nuk u realizua dhe me shumë mundësi do të dështojë dhe në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen, më 25 prill.

I ftuar në studio, analisti Afrim Krasniqi analizoi disa nga çështjet që e pengojnë dhe e bëjnë të vështirë pjesëmarrjen e shqiptarëve jashtë vendit, të votojnë.

Sipas Krasniqit, për këtë çështje kaq të rëndësishme mungon vullneti politik, pasi numri i shqiptarëve jashtë është shumë i madh dhe mund të ndryshojë balancat në vend dhe për këtë arsye asnjë prej palëve nuk preferon të rrezikojë.

“Personalisht mendoj që janë dy faktorët që e bëjnë të vështirë votën e diasporës. Së pari, është vullneti politik. Askush nuk ka vullnet politik që komuniteti shqiptar në botë të përfshihet në votim për shkak sepse ne dallojmë shumë nga modelet e rajonit. Ne ndonjëherë marrim modelet e Kosovës dhe Maqedonisë, por asnjë prej tyre nuk ka një komunitet kaq të madh sa ka Shqipëria. Ne praktikisht kemi 1.7 milionë votues në Shqipëri dhe 1.2 milionë të tjerë jashtë. Kështu që nëse ata marrin pjesë në votime, pesha e tyre e votës mund të ndryshojë raportet politike dhe askush nuk është i përgatitur që ta paguajë këtë çmim politik. Së dyti, shteti ynë është shumë i dobët dhe nuk ka një regjistër të qytetarëve në botë. Probleme ka dhe regjistri në Shqipëri, imagjinoni atë në botë, i cili u premtua që në 2004”, tha analisti.

Më tej, Krasniqi nënvizoi dhe disa çështje të tjera teknike që në fakt për të janë themelore, që, sipas tij, pengojnë votimin e diasporës, mes të cilave dhe mungesa e aftësisë së KQZ për të administruar zgjedhjet jashtë vendit.

“Janë dhe çështjet teknike sepse KQZ nuk ka fuqinë, kapacitetet dhe mjetet për të administruar zgjedhjet jashtë territorit të Shqipërisë dhe për shkak të mungesës së përvojës nuk është e gatshme që ta marrë këtë risk prandaj kërkon konsensus politik”, u shpreh Krasniqi.