Vrasja në Fier/ Kamerat zbulojnë makinën që u larguan autorët, merret në pyetje pronari i mjetit

Detaje të reja janë zbuluar për vrasjen në Fier ndërsa hetuesit kanë shoqëruar një person në Tiranë, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorët të largohen pasi dogjën makinën tip Range Rover. Burime pranë Policisë bënë me dije se ekzekutorët e Shkëlzen Kastratit përdornin automjetin Range Rover me targa greke të rregullta por që ishte vjedhur në shtetin fqinj.

Deri në këtë pikë hetuesit nuk kanë zbuluar ende mënyrën se si ajo është futur në territorin shqiptar ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë në pikën kufitare të Kakavijës për të parë nëse bëhet i mundur identifikimi i autorëve. Gjatë mbrëmjes së të mërkurës policia e Tiranës sekuestroi në Kamëz një automjet për të cilin dyshohet se autorët u larguan pasi dogjën Range Rover-in.

Kontrollet për persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje janë kryer edhe Durrës, periferitë e Fierit dhe në disa zona të Vlorës. Në total janë marrë në pyetje 8 persona ndërsa njëri prej tyre është dhe pronari i makinës tip Audi në Kamëz automjet I cili dyshohet se ndihmoi ekzekutorët dhe gjithçka është fiksuar nga kamerat e sigurisë.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se makinën e ka shitur tek një tjetër person po në Kamëz pa një akt noterial. Pas deklaratës është lënë sërish i lirë, ndërsa policia ka shpallur në kërkim personin që i është shitur makina.