Vrasja e trefishtë në Elbasan në vitin 2018, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar

Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar një nga autorët e vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2018, në Elbasan. 

Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të 2018 ku në një atentat mafioz mbetën të vrarë Endrit Alibeaj, Arben Dylgjeri dhe turku Terdal Durunay.

Autori i dyshuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është Mikael Qosja, 35 vjeç. Ai është i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtja pa leje”.

Njoftimi i Policisë

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore bënë të mundur identifikimin e një prej autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 29.12.2018, në fshatin Bradashesh, Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit E. A., A. D. dhe T. D.

Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasi:

M. Q., 35 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.