”Zgjoi” fiton tri çmime në Amerikë, regjia më e mirë për Blerta Bashollin në ”Sundance Film Festival”

“Zgjoi” është filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë që fiton tri çmime në një festival filmi amerikan. Në “Sundance” produksioni i Blerta Bashollit rrëmben tri çmime.

Lufta në Kosovë ka mbaruar. Një grua ka humbur të shoqin, por të presësh për të është e vështirë. Ajo ringrihet, nis të punojë me bletët, të zhvillojë një biznes dhe t’i japë kamionit. Lufta e saj për t’i siguruar një të ardhme më të mirë fëmijëve nuk shihet me sy të mirë nga shoqëria patriarkale që shpesh e rrethon një grua shqiptare.

Ajo ia del të triumfojë mbi këtë mentalitet, duke e sfiduar në emër të fëmijëve. Në këtë rrugëtim ajo zbulon edhe forcën brenda vetes. Ky është vetëm sinopsi i një filmi shqiptar që këtë fillimshkurti vlerësohet me tri çmime të rëndësishme në “Sundance Film Festival” .

“Sundance Film Festival” është një nga festivalet më të rëndësishme të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritet që suksesi i nisur këtu të vijojë për produksionin që flet shqip.