Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB PD.duplicate frame 148 1100x620

PD prezanton sot planin për rininë

Pasi prezantoi planin qeverisës për ekonominë, shëndetësinë dhe arsimin, sot Partia Demokratike prezanton planin e saj për rininë. Teksa prej kohësh ka akuzuar qeverinë socialiste si arsyen pse të rinjtë largohen nga vendi pritet të shihet sot plani konkret i përshtatjes së të rinjve me kushtet e punës dhe integrimin në pikat kyçe të vendit.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, viziton sot Tiranën

Sot, viziton Tiranën ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe misionit të përbashkët ndërkombëtar.

Në orën 09:30 Osmani pritet të takohet me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me të cilën pritet edhe një konferencë e përbashkët për median.

Një ndër prioritetet e qeverisë shqiptare dhe politikës së jashtme të saj është mbështetja për bashkëkombasit.

Plani i Biden për politikën e jashtme: Fund mbështetjes ushtarake për Arabinë Saudite

Biden prezantoi planin e politikës se jashtme ku në vijë të parë listoi vendimin se vendi i tij i jep fund mbështetjes ushtarake për Arabinë Saudite në luftën në Jemen dhe ndalon shitjet relevante të armëve. “Amerika u kthye, diplomacia u kthye”, tha Biden, duke deklaruar se administrata e tij do të përdorë institucionet diplomatike më shumë në çdo fushë dhe se ata i japin rëndësi marrëdhënieve të aleancës ndërkombëtare. Tjetër pikë ishte Rusia. Biden deklaroi se janë të vetëdijshëm për përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së me sulme kibernetike dhe sfidat që kanë të bëjnë me sigurinë, duke shtuar se lideri opozitar rus, Aleksey Navalny, duhet të lirohet menjëherë dhe pa kushte. Së treti, trupat amerikane në Irak, ndryshe nga kërkesa e Trump, nuk do të tërhiqen.

Trump nuk do të dëshmojë në gjyqin për nxitje të trazirave në Kapitol

“Presidenti nuk do të dëshmojë në një proces antikushtetues”, këtë tha këshilltari i Donald Trump dhe pjesëtar i grupit të avokatëve në gjyqin në Kapitol për nxitje të trazirave pasi edhe një herë i cilësoi marrëzira nisjet e proceseve të shkarkimit kur ai nuk është me president. Demokratët kërkuan që Trump të jetë vetë i pranishëm për të dëshmuar mbi sulmet në Kapitol ku humbën jetën 5 persona me 6 janar. “Nëse nuk e pranoni këtë ftesë, ne rezervojmë çdo të drejtë, përfshirë të drejtën për të deklaruar në gjyq se refuzimi juaj për të dëshmuar mbështet përfundimin e fortë lidhur me veprimet e tuaja, që nuk është aspak në avantazhin tuaj”, shkruhet në letrën e demokratëve.

Franca merr nesër dozat e para të vaksinës Astra Zeneca

Franca merr nesër dozat e para të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca. Njoftimin e bëri kryeministri Jean Castex, sipas të cilit kjo sasi do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit për vaksinimin e popullatës. Franca do të pranojë edhe 1.7 milionë doza të tjera në fund të shkurtit dhe marsit, teksa vendi synon të vaksinojë kundër koronavirusit 4 milionë persona deri në fund të muajit. Ndër të tjera kryeministri u ndal edhe te mundësia e izolimit të ri të vendit. Sipas Castex, pavarësisht shifrave, nuk lipset një hap i tillë. “Ne duhet të vazhdojmë të mbajmë në fuqi masat që tashmë janë në fuqi… por, situata që kemi sot nuk e justifikon edhe një izolim të ri mbarëkombëtar”, tha ai.

Gjermania drejt lehtësimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit

Gjermania po shkon drejt lehtësimit të masave kundër përhapjes së koronavirusit. Konfirmimin e jep ministri për Shëndetësinë, Jens Spahn, sipas të cilit numri në rënie i rasteve të reja e konfirmon me së miri diçka të tillë. Incidenca për momentin është 87 persona për 100 mijë banorë, tha ai dhe nëse ecën me këtë ritëm po shkojmë drejt 50 të tillëve. Por, vendimi final merret më 14 shkurt, kur pritet edhe takimi i radhës. Deri atëherë, shumë biznese, shkolla dhe qarkullimi mbeten të mbyllura.

Liverpool nuk do të luajë ndeshjen e parë të Champions League kundër Laipzig

Liverpool nuk do të mund të luajë ndeshjen e parë të Champions League kundër Laipzig. Autoritetet gjermane ndalojnë hyrjen brenda kufijve të udhëtarëve që vijnë nga Britania e Madhe, për shkak të mutacionit të Covid-19, që ka nisur të përhapet me shpejtësi e për rrjedhojë edhe sfida e parë e programuar në Laipzig nuk mund të zhvillohet. Fluturimet nga Anglia janë të ndaluara deri në datën 17 shkurt, një ditë pas datës kur është përcaktuar ndeshja. Zgjidhja që mund të marrë përballja e rëndësishme, është ndërrimi i datave. Sfida e parë të luhet në Liverpool dhe ajo e kthimit në Laipzig, nëse autoritetet do të ndryshojnë masat për fluturimet nga Britania. Në të rastin më të keq, sfida e parë e 1-16-ave të Champions League do të zhvendoset në një fushë neutrale.

Premier League, Chelsea fiton derbin e Londrës, tri humbje radhazi për Tottenham

Chelsea fiton derbin e Londrës kundër Tottenham. Blutë triumfuan 1-0 në “Stanford Brixh” me golin e Zhorzhinjos nga pika e bardhë në minutën e 24 të takimit. Chelsea ishte skuadra që dominoi në këtë përballje, si në zotërimin e topit ashtu edhe në rastet për shënim. Tomas Tuhel e nis si duhet aventurën e re në Londër. 7 pikë në tri ndeshjet e para, ndërkohë që derbi ishte një leksion edhe për kundërshtarin e tij, Zhose Murinjo, që pësoi humbjen e tretë radhazi. 36 pikë për Chelsea që gjithsesi mbetet në vendin e gjashtë, ndërkohë që Tottenham ka zbritur në vendin e 8 me tri pikë më pak.

Festivali i Sanremos do të mbahet nga 2-6 mars pa spektatorë

Festivali italian i këngës, Sanremo do të oganizohet në sallën e Teatrit Ariston nga datat 2 deri më 6 mars. Njoftimi konfirmohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë që dhanë miratimin e organizimit të një prej eventeve më të rëndësishme kulturore në Itali.

Ekspertët miratuan protokollin e masave që parashikon organizimin e spektaklit pa praninë e spektatorëve, duke shtuar edhe të tjera kufizime që do të ulnin në maksimum mundësinë e infektimit me koronavirus të pjesëmarrësve.