Agjencia britanike e barnave për vaksinat e AstraZeneca dhe Pfizer: Ekstremisht të sigurta

Vaksinat e Pfizer dhe AstraZeneca që iu janë injektuar miliona britanikëve, janë ekstremisht të sigurta, me përjashtim të disa efekteve anësore të lehta, deklaron autoriteti rregullator i barnave.

Raportet kanë qenë pozitive për rreth 7 milionë dozat e përdorura nga 24 janari, ndërsa janë raportuar 22820 raste të dyshuara reaksioni prej vaksinës.

Gjithsesi, në këto raste pasojat kanë qenë të lehta si lëndim në zonën e injektimit ose shenja gripi. Por, këto efekte anësore kanë të bëjnë me reagimin e trupit ndaj vaksinës. Reagimet nga varianti i vaksinës së Pfizer/BioNTech, mund të ndodhin shumë rrallë, sipas përllogaritjeve të ekspertëve, 1 deri në 2 raste për 100 mijë doza të injektuara.

Britanikët mund të adresojnë shqetësimet pas vaksinimit në Kartonin e Verdhë. Skema e kartonit të verdhë është krijuar për të pikasur rastet serioze të reaksionit të vaksinës. Disa nga shenjat e raportuara janë dobësi, ethe, dhimbje muskulare, marrje mendsh etj.

Mes miliona qytetarëve të vaksinuar, janë regjistruar 143 raste vdekjesh, por sipas Agjencisë Rregullatore të Barnave dhe Shëndetit, kjo nuk është një e dhënë shqetësuese apo e lidhur me ndonjë mënyrë me vaksinën.

Agjencia pranoi gjithashtu se ka pasur dhjetëra raste paralize faciale, por kjo gjendje dhe kjo shifër regjistrohet edhe në kushte normale, dhe nuk sugjeron rrezik në rritje prej vaksinës.