Basha prezanton shtyllat e programit të Partisë Demokratike për rininë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi sot programin për rininë, që e cilësoi si “një plan të sigurt dhe konkret që do të shpëtojë një brez të tërë të të rinjve shqiptarë”.

Basha tregoi shtyllat kryesore të programit për rininë: “Ne do të zgjidhim çështjen e papunësisë: nuk mund të lejojmë që rinia jonë të rrijë në shtëpi, pa as edhe një shpresë për punësim. Kjo nis që me shkollat, ku ata do marrin më shumë mundësi arsimimi dhe mbaron me krijimin e më shumë vendeve të punës në ekonomi për ta.
Do të ulim emigrimin e rinisë. E thashë edhe më parë, do ta them përsëri: po humbim një brez të tërë. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes këtë.
Do të rrisim cilësinë e arsimit: në planin e arsimit që prezantuam fola për rëndësinë që ka arsimi. Ky është thelbi. Pasi t’u kemi dhënë më shumë mundësi të rinjve përmes sistemit arsimor, ata do të kenë më shumë besim dhe mundësi për të ardhmen e tyre këtu.
Nxitja e Inovacionit. Ne do ta vendosim INOVACIONIN në krye të listës së përparësive. Ne duhet t’u japim të rinjve të gjitha mundësitë që meritojnë për t’ia dalë në jetë”.

Më tej, Basha u angazhua “se të gjithë studentët shqiptarë, 9 në 10 prej tyre që vinë nga familje me të ardhura nën 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për bachelor dhe master”.

“Pjesa tjetër, që vijnë me të ardhura mbi 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë përgjysmimin e këtyre tarifave universitare. Ndërsa 5000 bursa të plota në vit do t’u ofrohen të gjithë të rinjve të cilët kanë pamundësi ekonomike për të ndjekur studimet e larta. Nuk do të ketë të rinj, nuk do të ketë bija dhe bij shqiptarësh që do të mbeten pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike të familjeve të tyre. Angazhohem ndaj studentëve, se do të kenë praktika të paguara prej 30 000 Lekë në muaj për 12 muaj për 10 000 më të mirët prej tyre çdo vit. Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të krijoj 4 inkubatorë biznesi brenda 4 viteve, për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrjen e punësimin në vend. Skema  financimi për çdo të ri nga zonat e largëta dhe të varfra të vendit që duan të nisin një sipërmarrje. Angazhohem që asetet e sekuestruara në bazë të ligjit anti-mafia, do të kalojnë në duart e të rinjve që ngrenë biznese me benefite sociale për shoqërinë. Angazhohem që ta bëj brezin e ri përparësi të qeverisjes sonë! Punë, arsim, mundësi, profesion. Rinia do të jetë e para”, shtoi Basha.