Borrell takon Lavrov në Moskë: Marrëdhëniet BE-Rusi në pikë kritike

borrell lavrov 1100x620

“Situata që është krijuar midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian është e pashëndetshme”. Kjo u deklarua nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në hapjen e bisedimeve me shefin e lartë të politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell.

“Të dyja palët jemi të interesuara në rajonin Euroaziatik. Sot, kemi mundësinë të kemi një bisedë të sinqertë midis nesh, për të adresuar këtë pikë”.

Nga ana e tij, Borrell tha se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian kanë arritur një pikë kritike edhe për shkak të çështjes Navalny.

“Por, ne jemi të lidhur. Dhe pavarësisht nga ndryshimet tona, ndërtimi i një muri heshtjeje nuk është një opsion”, shtoi përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së.

Marrëdhëniet midis BE-së dhe Rusisë kanë qenë të tensionuara gjatë dekadës së fundit.

Shefi për politikën e jashtme të BE-së Josep Borrell, ndodhet në Moskë për një vizitë 3-ditore, ku është takuar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Vizita bëhet gjatë kohës që është burgosur lideri i opozitës, Alexei Navalny, i cili duhet që të vuajë një dënim me burg prej 2 vitesh e 8 muaj.

Liderët evropianë e kanë dënuar këtë vendim të gjykatës ruse duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Navalny-t.