Covid-19, sinjalet në Twitter para shpërthimit të pandemisë

twitter covid 1100x620

Shenjat e një alarmi shëndetësor mes dhjetorit 2019 dhe janarit 2020 po qarkullonin në Twitter edhe para se bota të mësonte për një koronavirus të ri. Sipas një studimi italian, të botuar në “Scientific Reports”, disa nga simptomat tipike të Covid-19 kishin infektuar postimet sociale, përpara se alarmi për transmetimin e mundshëm nga njeriu te njeriu të përhapej nëpër botë, dhe para se Evropa ta zbulonte se ishte sëmurë.

Në disa raste, postimet e shpërndara në mediat sociale kanë provuar të jenë një tregues efektiv i përhapjes së simptomave që i atribuohen gripit, si kollitjet dhe ftohjet, madje edhe para testeve tradicionale epidemiologjike. Kështu një grup studiuesish nga “Scuola IMT Alti Studi Lucca” kërkuan në Twitter për një konfirmim indirekt të hipotezës që koronavirusi SARS-CoV-2 qarkulloi në Evropë edhe para alarmit zyrtar të nisur nga Wuhan. Autoritetet kineze njoftuan ekzistencën e një sëmundjeje koronavirusi të transmetueshme te njerëzit më 21 janar 2020. Më 23 janar, në Wuhan, në qytetin me 11 milionë banorë, u vendos bllokim i plotë.

Ekipi krijoi një bazë të të dhënave me të gjitha mesazhet e postuara në Twitter që përmbajnë termin “pneumoni”, në italisht dhe në gjashtë gjuhët e tjera më të folurat në Bashkimin Evropian (anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, polonisht, holandisht), nga dhjetori 2014 deri më 1 mars 2020.

Kjo fjalë u zgjodh sepse simptomat e mushkërive ishin të parat që shoqëroheshin me SARS-CoV-2 dhe për të shmangur mbivendosjet e mundshme me sezonin e gripit 2019-2020, i cili ishte shumë i butë deri në atë kohë.

Në shumicën e vendeve evropiane, nga 31 dhjetori 2019 deri më 21 janar 2020 kishte një rritje të dyshimtë në postimet e Twitter që përmbanin fjalën “pneumoni” krahasuar me vitet e mëparshme, dhe kjo pasi u përjashtuan të gjitha postimet që komentuan ose raportuan lajme në lidhje me covidin. I njëjti trend u vu re për shprehjen “kollë e thatë”, një simptomë që më vonë do të njihej si një shenjë paralajmëruese e infeksionit të koronavirusit.

Në Itali, ku “pacienti zero” i Codogno u identifikua, më 20 shkurt 2020, ka një rritje të përdorimit të termit “pneumoni” në javët e para të vitit 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019-n. Në Francë, vërehet një fenomen i ngjashëm, ndërsa në Spanjë, Poloni dhe Mbretërinë e Bashkuar shihet e njëjta gjë, por me dy javë vonesë. Dhe kjo, nëse kemi parasysh vetëm faktorin kohë.

Kur studiuesit panë vendndodhjen gjeografike dhe u përpoqën të gjenin 13 000 postime me fjalën “pneumoni”, ata zbuluan se shumica e tyre ishte përqendruar në vende që do të bëheshin epiqendrat e covidit brenda një ose dy muajsh. Për shembull, një rritje është shfaqur në Lombardi dhe Madrid, por jo në pjesë të tjera të Evropës që do të goditeshin nga virusi më vonë.

Studimi konfirmon që analiza e postimeve në rrjetet sociale mund të përdoret si një mjet i vlefshëm epidemiologjik, për të kapur shenjat e para të një sëmundjeje ose për të pasur parasysh progresin e atyre që tashmë njihen. Për shembull, ato mund të jenë të dobishme për të gjurmuar shpërthimet e covid-it në të ardhmen, kur vaksinat të kenë mundësuar zhdukjen e sëmundjes në zona të mëdha gjeografike.