Lufta në Jemen, Biden i jep fund mbështetjes së operacioneve ushtarake

Shtetet e Bashkuara marrin hapin e parë për të ndaluar luftën disavjeçare në Jemen. Presidenti Joe Biden njoftoi se do të heqë mbështetjen për ofensivën ushtarake për aleatët amerikanë, teksa konflikti i armatosur besohet të ketë shkaktuar mbi 110 mijë viktima.

“Lufta në Jemen duhet të marrë fund”, tha presidenti Biden në fjalimin e tij të parë të rëndësishëm të politikës së jashtme. Nën dy paraardhësit e Biden, SHBA mbështeste një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite kundër rebelëve Houthi në Jemen.

Konflikti ka lënë miliona jemenas në prag të urisë. Luftimet nisën në vitin 2014 mes një qeverie të dobët të Jemenit dhe lëvizjes rebele Houthi. Konflikti përshkallëzoi një vit më pas, kur Arabia Saudite dhe shtetet e tjera arabe të mbështetura nga SHBA, Britania dhe Franca nisën sulmet ajrore ndaj militantëve Houthi.

Biden njoftoi ndryshime të tjera në politikën e jashtme amerikane, të tilla si një rritje e konsiderueshme e numrit të refugjatëve të pranuar nga SHBA dhe një ndryshim i vendimit për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, ku ata janë vendosur që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Fjalimi i tij shënon një ndërprerje të thellë me politikat e ish-presidentit Donald Trump, i cili u largua nga detyra muajin e kaluar.