Ngërç në Champions League, Liverpool nuk mund të udhëtojë në Gjermani për ndeshjen kundër Leipzig

Ngërç në Championes League Liverpool nuk mund të udhëtojë në Gjermani për ndeshjen kundër Leipzig 1100x620

Liverpool nuk do të mund të luajë ndeshjen e parë të Champions League në Leipzig. Autoritetet gjermane ndalojnë hyrjen brenda kufijve të udhëtarëve që vijnë nga Britania e Madhe pasi e cilësojnë këtë shtet si vend me risk të lartë.

Për shkak të mutacionit të Covid-19 që ka nisur të përhapet me shpejtësi, sfida e parë e programuar në Leipzig nuk mund të zhvillohet. Fluturimet nga Anglia janë të ndaluara deri në datën 17 shkurt, një ditë pas datës kur është përcaktuar ndeshja.

Zgjidhja që mund të marrë përballja e rëndësishme, është ndërrimi i vendeve pritëse. Një alternativë është që sfida e parë të luhet në Liverpool dhe ajo e kthimit në Leipzig duke qenë që sa i përket muajit mars dhe autoritetet mund të ndryshojnë masat kufizuese përfshirë këtu edhe fluturimet nga Britania. Në rastin më të keq, sfida e parë e Champions League do të zhvendoset në një fushë neutrale.

Lajmi nuk vjen si suprizë, të paktën në Gjermani duke qenë se prej fillimit të javës autoritetet bënë me dije se nga masat e reja shtrënguese për pandeminë, nuk do të ketë asnjë përjashtim edhe në rastin e sportistëve profesionistë.