Skenarët e krizës, qeveria optimiste edhe në rastin më pesimist

Rreziqet që i kanosen ekonomisë shqiptare këtë vit dhe deri në kapërcimin e krizës së shkaktuar nga pandemia janë të shumta. Të tillë e vlerësojnë institucionet zyrtare si Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, ashtu sikurse ekspertët, por perceptimi ndaj këtyre rreziqeve është i ndryshëm.

Në Programin e Reformave Ekonomike 2021-2023, një dokument i miratuar së fundmi mbi të cilat do të mbështeten të gjitha politikat financiare të qeverisë, risqet përfshijnë nga përkeqësimi i situatës së Covid-19 dhe shtrirja e masave kufizuese; te detyrimet e prapambetura, PPP, koncesionet, rritja e kredive me probleme dhe faktorët e jashtëm.

Megjithatë, në hartimin e skenarëve të krizës, qeveria duket optimiste edhe në skenarin më të zymtë. Rritja ekonomike e pritshme këtë vit është 5.5% në skenarin bazë, ndërsa nëse gjërat shkojnë keq dhe rreziqet materializohen, efekti i parashikuar është vetëm sa 1.5% e PBB-së, me një rritje ekonomike prej 4%.

Qeveria duket optimiste edhe në përllogaritjet e nivelit të recesionit për vitin që u mbyll. Edhe pse janar-shtatori u mbyll me një rënie mbi 5.5%, Financat parashikojnë që niveli i rënies të jetë vetëm 4.4% për të gjithë vitin.

Çdo parashikim i gabuar do të kishte një efekt të menjëhershëm në të gjithë treguesit kryesorë fiskalë, që nga niveli i borxhit publik, tek të ardhurat dhe shpenzimet; duke kufizuar aftësinë e qeverisë për t’iu përgjigjur krizës në nivelin e duhur.