Dyfishohen shtrimet, spitali i Korçës nuk ka kapacitete, mungon personeli mjekësor

Në periudhë pandemie dhe virozash të stinës, Spitali Rajonal i Korçës është duke u përballur me një fluks të lartë vizitash dhe shtrimesh.

Kryesisht janë pacientët e dyshuar për infektim nga virusi Covid-19 ata të cilët kanë shkaktuar dyndjen në spital për trajtimet dhe ekzaminimet e nevojshme. Samuel Kristo, shef i pneumologjisë pranë këtij spitali thotë se është dyfishuar shtrimi i pacientëve dhe pothuajse gjithë pavionet janë të zëna.

Ndonëse spitali rajonal i Korçës nuk është kthyer ende në një spital Covid, aktualisht janë mbi 20 pacientw të shtruar.

Kristo shkon më tej kur thotë se situata po përballohet me numër të kufizuar mjekësh. Nevoja për bluza të bardha është emergjente, sidomos në këtë kohë pandemie.

Dyndja drejt Korçës për festat e fundvitit dhe turizmit dimëror rriti numrin e të infektuarve në këtë qytet. Ndonëse Komiteti Teknik i Ekspertëve apeloi për shmangien e grumbullimeve, efektet po ndihen javë pas jave.