Çfarë ka ndryshuar në portin e Bejrutit 6 muaj pas shpërthimit?

Fotografi të realizuara me dron tregojnë gjendjen në portin e Bejurit në Liban, gjashtë muaj pas shpërthimit që tronditi vendin dhe që shkaktoi të paktën 200 viktima, ndërsa më shumë se 6000 persona mbetën të plagosur.

Shpërthimi mendohet se u shkaktua nga një sasi prej 2750 tonë nitrat amoni të vendosur në një magazinë aty pranë. Ngjarja tragjike vetëm sa shtoi problemet te një popullsi e dërrmuar nga kriza ekonomike dhe pandemia e koronavirusit.

Komuniteti ndërkombëtar, me në krye Francën, u zotua të jepte një fond prej rreth 300 milionë dollarësh ndihma për Libanin. Bashkimi Europian, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Banka Botërore kanë hartuar gjithashtu një plan për të ndihmuar në ringritjen ekonomike të qytetit. Sipas vlerësimit të tyre, vetëm për vitin e parë do të duhen 426 milionë dollarë.

Madje, Banka Botërore vlerëson se dëmet e shkaktuara nga shpërthimi kapin vlerën e 8,1 miliardë dollarëve. Në dhjetor, kryeministri në detyrë Hassan Diab, dhe 3 ish-ministra Ali Hassan Khalil, Ghazi Zaiter dhe Youssef Fenianos, u akuzuan se nuk reaguan pas paralajmërimeve për magazinimin e pasigurt të nitratit, që ishte sekuestruar nga një anije ruse.

Gjashtë muaj pas ngjarjes, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar nga vendi i shpërthimit, çka vë edhe më shumë në dukje punën gjigante që do të duhet për rikthimin e gjërave në normalitet.