Ndahet nga jeta ish-futbollisti i Skënderbeut Milutin Kerçiç

Milutin Kerçiç 1100x620

Është ndarë nga jeta në moshën 63- vjeçare ish-futbollisti i Skënderbeut dhe ekipit kombëtar “Shpresa” Milutin Kerçiç, i cili vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Milutin Kerçiç është padyshim një nga futbollistët më të mirë në gjithë historinë e Skënderbeut. Prej gati 30 vitesh jetonte në Guci të Malit të Zi, prej dhe nga kishte origjinën e babait. Nga viti 2010 është rikthyer dhe një herë te “Skënderbeu” pasi ish-presidenti i futbollit korçar Agim Zeqo e ka përfshirë për gati 3 sezone në stafin e ekipit. Por, rikthehet dhe një herë në vendin e origjinës aty ku dhe do të prehet.

Për ndarjen nga jeta të futbollistit Milutin Kërçiç ka reaguar edhe kreu i shtetit Ilir Meta. Përmes një mesazhi në rrjete sociale, ai i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve, ndërsa vlerëson lojtarin për talentin e jashtëzakonshëm.

“Mësova me hidhërim lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej legjendave të “Skënderbeut” dhe futbollit shqiptar, Milutin Kërçiç, idhullin e shumë fëmijëve korçarë të viteve ’70-’80, të vlerësuar për talentin e tij të jashtëzakonshëm nga të gjithë sportdashësit dhe ne, që patëm fatin ta shihnim në fushën e blertë.

Model i lojtarit korrekt në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë, Milutin Kërçiç do kujtohet gjithmonë me respekt për kontributin e veçantë të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, shembull frymëzues për vlerat e veçanta sportive dhe qytetare, që përfaqësonte.

Ngushëllime të sinqerta familjarëve, kolegëve dhe të gjithëve sportdashësve për këtë humbje të pazëvendësueshme”- shkruan Meta.