Basha prezanton programin për mirëqenien: Angazhohem për rritjen e pensioneve dhe ndihmës ekonomike

Pas programit ekonomik, rininë, mjekësinë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi këtë të hënë dhe programin për mirëqenien sociale, i cili, sipas tij, do të sjellë vëmendjen te shtresat në nevojë dhe pensionistët.

Kryedemokrati akuzoi qeverinë se nuk mbajti asnjë premtim dhe la në harresë pensionistët dhe familjet në nevojë. Ai premtoi se sapo të vijë në pushtet do të rrisë pensionet dhe asistencën ekonomike.

“Unë angazhohem për rritjen e pensioneve për 650 000 pensionistët shqiptarë, dy herë më shumë se  norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit! Angazhohem të dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Nën qeverisjen tonë, askush nuk do të braktiset, shpërfillet dhe nëpërkëmbet.

Angazhohem që njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes sonë dhe jo thjesht përfitues pasivë apo viktima të indiferencës, përbuzjes apo korrupsionit qeveritar. Ata do të jenë pjesë e këshillimeve dhe vendimeve mbi hartimin dhe zbatimin e reformave sociale që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë.

Angazhohem për subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja. Për të ardhmen tonë, për ata që kemi detyrë t’ju sigurojmë kushtet më të mira dhe mundësinë për sukses në jetë. Po ua them fare qartë, ne do të paguajmë 100% të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë. 5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para, 20 000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë subvencionimin 100% të interesave të kredive që do të marrin për banesën e tyre”, tha mes të tjerash Lulzim Basha.