Bllokohen 820 kg kafe e padeklaruar në Shkodër

Një sasi prej 820 kg kafe dhe mallra të tjerë janë bllokuar nga dogana e Shkodrës, pasi nuk kanë qenë deklaruar.

“Sipas informacionit, pranë kësaj dege doganore është paraqitur mjeti me targë AA953MT /ADR454, ardhur tranzit nga Dogana e Vlorës, në emër të subjektit “Ashel Grup”, i cili pas kontrollit fizik rezultoi se kishte një sasi të konsiderueshme mallrash me diferencë me deklaratën doganore.

Gjatë verifikimit të kontrollit fizik rezultoi një sasi prej 820 kg kafe e padeklaruar, me një detyrim doganor të munguar 214 730 lekë dhe me penalitet në shumën prej 644 190 lekë.

Gjithashtu, u konstatua edhe një kundërvajtje administrative, ku në deklaratën transit të bërë nga subjekti nuk ishin deklaruar mallra të ndryshëm me peshë 1056 kg, ku u penalizua me shumën 3-fish të detyrimit doganor, i cili kap vlerën prej 868 020 lekë”, thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës.