Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2021, 08:04 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Kuvendi i Shqipërisë, sot seanca e radhës

Sot, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mblidhen në seancë parlamentare ku do diskutohen dhe votohen një sërë projektligjesh; si ai për koncesionin e aeroportit të Tiranës, ndryshimet për karrierën në rangun e Forcave të Armatosura, ndryshimet për ligjin mbi Kryqin e Kuq shqiptar, huaja e re me BERZH dhe ndryshimet në ligjin për ruajtën e sigurisë fizike. Nuk do të mungojë as sot koha e vënë në dispozicion për diskutim të lire apo edhe interpelanca me ministren për Ekonominë që në krye të radhës e kërkuar nga deputeti Artur Roshi.

Investimi i parë i KESH, hapet gara për aksin Vau i Dejës-Koman

Sot, bëhet shpallja e garës për kompaninë që do të rikonstruktojë aksin rrugor Vau i Dejës-Koman me një gjatësi prej 30,7 km që është investimi i parë i kësaj natyre që do të realizohet nga KESH. Kjo rrugë nuk do t'i shërbejë vetëm korporatës, por edhe banorëve të zonës dhe zhvillimit turistik, bëri me dije kreu i KESH, Benet Beci. “Bashkëbisedimi që pata me specialistë, banorë e drejtues lokalë, ashtu si edhe informimi i publikut për vijueshmërinë e këtij projekti janë pjesë e përgjegjësisë së Korporatës për të qenë më pranë komunitetit”, tha ai.

Aksident me vdekje në Institut

Një aksident rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës, ku një makinë përplasi për vdekje një kalimtare. Ngjarja u regjistrua në zonën e Institutit, ku mjeti me drejtues E.B. përplasi shtetasen A.A., 25 vjeç, e cila si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital. Drejtuesi i mjetit u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e aksidentit.

Maqedonia e Veriut nënshkruan sot marrëveshjen për vaksinën kineze

Në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Shëndetësisë nënshkruan sot marrëveshjen për furnizim me vaksinën kineze. Ministri Venko Filipçe shpalosi metodologjinë se si do të bëhet vaksinimi, pa pasur datë konkrete se kur do të mbërrijnë dozat e vaksinës. “Dozat e siguruara do të shërbejnë për vaksinimin e 100 mijë personave. Të parët do të vaksinohen punonjësit shëndetësor dhe personat e moshuar mbi 70 vjeç. Pikat e vaksinimit do të funksionojnë me kapacitet maksimal, konkretisht nga 2000 deri në 2500 vaksinime në ditë. Kjo vaksinë është e sigurt sikur edhe të gjitha vaksinat e tjera”, tha Felipçe.

Vijojnë konsultimet për qeverinë e re në Itali

Në Itali, nis sot raundi i dytë i takimeve mes personit që iu besua krijimi i qeverisë me bazë të gjerë, Mario Draghit dhe liderëve të partive në Senat. Qëllimi është betimi i qeverisë së re para së premtes. Ish-kryeministri Conte e përshëndeti nismën e tij dhe e cilësoi atë shumë të aftë, por u shpreh se nuk dëshiron të jetë pjesë e kabinetit të tij.

Miliarderi Gates: Bota përballë dy rreziqeve të mëdha, përveç pandemisë

Themeluesi i Microsoft, Bill Gates paralajmëron botën se përveç pandemisë janë edhe dy rreziqe të mëdha që e rrezikojnë atë. “Ndryshimi klimaterik dhe bioterrorizmi janë problemet e rënda që na presin në të ardhmen” tha ai. “Kjo pandemi ishte parashikuar që në 2015”, tha Gates. E njëjta gjë i paralajmërohet botës nga ndryshimet klimatike që në 2060, mund të jenë vdekjeprurëse njësoj si pandemia, ndërsa në vitin 2100 mund të jenë 5 herë më shumë. Sa i përket bioterrorizmit, Gates u shpreh se shumë njerëz nuk duan të flasin për të, por “ekziston mundësia që dikush, i cili kërkon të bëjë shumë dëme, të krijojë një virus që të jetë shumë më vdekjeprurës sesa SARS-CoV-2”.

Pandemia, Austria rrit masat në kufij

Austria do të shtojë kontrollet në kufi dhe do të kufizojë rreptësisht numrin e personave që hyjnë në territorin e saj. Ky është vendimi më i fundit që lidhet me masat parandaluese për përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit. Austria ndjek kështu shembullin e shumë shteteve evropiane në lidhje me këtë temë që nuk duan të rrezikojnë më shumë me vendet e tyre. Lajmi u konfirmua ditën e djeshme nga takimi që Ministri i Shëndetësisë pati me kryeministrin e rajonit të Bavarisë në Gjermani.

Morën pjesë në protestat e Navalny, dëbohen sot nga Moska 3 diplomatë

Rusia do të përzërë sot nga vendi tri diplomatë të huaj që i përkasin Suedisë, Gjermanisë dhe Polonisë, me akuzën se kanë qenë organizatorë të protestave popullore kundër arrestimit të Aleksei Navalnit. Shefi për Politiken e Jashtme në BE, Josep Borrell që vizitoi vendin të premten dhe u takua edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i dënoi këto veprime duke këmbëngulur se asnjë diplomati të vendeve anëtare nuk i lejohet një veprim i tillë. 

Ka vaksinuar mbi 3.4 milionë banorë, Izraeli nis lehtësimin e masave.

Ndryshe nga vendet evropiane, Izraeli ka filluar me lehtësimin e masave kundër pandemisë derisa po zhvillon një fushatë të gjerë vaksinimi kundër COVID-19. Parukeritë dhe disa biznese të tjera u hapën nga dje. Masat e izolimit ishin fuqizuar në muajin dhjetor të vitit 2020, pasi vendi u përball me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus. Vendi iu nënshtrua një taktike të mirëmenaxhuar të vaksinimit ku që prej dhjetorit, më shumë se 3.4 milionë qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës. Një sërë masash mbeten ende në fuqi ndërkohë, derisa numri i vaksinimeve të kalojë masën 50 për qind.

Messi i jep fitoren Barcelonës nga stoli

Barcelona fitoi 3-2 në transfertë ndaj Betis, në një ndeshje spektakolare. Trajneri i katalanasve, Ronald Koeman, vendosi që t’i jepte pak pushim Messit, por përfundimi i pjesës së parë në disavantazhin e një goli, detyroi holandezin që ta aktivizonte yllin e ekipit. Menjëherë pas futjes në fushë, Messi barazoi rezultatin, ndërkohë që 9 minuta më vonë, Barça kaloi në avantazh pas autogolit të Ruiz. Ishte po Ruiz ai që shleu gabimin brenda pak minutash, duke barazuar rezultatin në 2-2. Goli i fitores për Barcelonën u shënua në minutën e 87, nga Trincao, i cili dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje spektakolare me të majtën.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani