Dalin datat e provimit të Maturës Shtetërore 2021

maturantet provimet e matures 600x338

Provimet e Maturës Shtetërore 2021 do të zhvillohen nga data 3 qershor deri në datën 15 qershor. Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka nxjerrë udhëzimin ku thuhet se provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në 3 qershor 2021, provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet më 7 qershor, provimi i matematikës do të zhvillohet në 11 qershor dhe ai i lëndës me zgjedhje në 15 qershor. Secili provim ka një diferencë katër ditore nga tjetri.

Sipas udhëzimit, provimet e Maturës Shtetërore do të fillojnë në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasin dy orë e 30 minuta. Testet e Maturës Shtetërore janë hartuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, ku secili test do të vlerësohet me 60 pikë maksimale.

Maturantët që rezultojnë mbetës i japin provimet në sesionin e dytë. Ndërkohë testi i gjuhës dhe letërsisë italiane hartohet nga Ministria e Arsimit italiane dhe dorëzohet brenda afatit në QSHA dhe provimi zhvillohet më 3 qershor, ndërsa testi i gjuhës frënge  përgatitet nga ambasada franceze dhe provimi zhvillohet në 25 maj në shkollat përkatëse.