Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

“Deklarata e Ramës, tallje”, Beja: Ligji ndërkombëtar i detit do ta ndëshkojë Greqinë

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2021, 21:10 | Politikë
“Deklarata e Ramës, tallje”, Beja: Ligji ndërkombëtar

Deklarata e kryeministrit Rama një ditë më parë nga Saranda, teksa iu përgjigj akuzave në lidhje me çështjen e detit me Greqinë është diskutuar në studion e Ditari në A2 CNN me ish- komandantin e flotës detare shqiptare Vladimir Beja. Në këndvështrimin e tij Beja thekson se është i shokuar nga deklarata e kryeministrit, sipas të cili është ai që i fryn zjarrin në lidhje me këtë çështje, në vend që të qetësojë ujërat.

“Sa herë shoh e dëgjoj deklarata e kryeministrit shokohem jo vetëm për fjalorin ndaj kolegëve të tij, por për çështjet e sovranitetit të kombit të shqetësohen të gjithë. Populli shqiptar është i ndjeshëm ndaj kufirit. Ai jo vetëm që nuk e qetëson por është ai që i hedh zjarrin kësaj pune. Ka një mënyrë për ti qetësuar për t’i thënë që kufijtë janë të garantuar dhe të paqta”.

Për Bejan të dy qeveritë kanë dështuar në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, ndërsa deklaratën më të fundit të kreut të qeverisë e konsideron tallje.

“Kryeministri aktual nuk ka asnjë tagër dhe t’u premtojë apo të bëhet avokat i Greqisë në debatin e madh që kemi. Të thuash që nuk ka ku zgjerohet 12 milje është një tallje. Zoti kryeministër jeni në metodologjinë e gabuar në atë që pretendoni se marrëveshja është në rrugë të mbarë. Nuk keni asnjë tagër e bazë juridike që keni çuar në ekstaze politikën greke duke pranuar të drejtën e saj të zgjerojë detin e saj në 12 milje. Unë e kam ndjekur këtë gjë mbi 10 vjet. Ishte Bushati që sapo mori detyrën denoncoi krimin që grupi negociator i parë kishte bërë me detin dhe para 3 javësh prokuroria dorëzon dosjen dhe nuk gjene asnjë krim”.

Të paarsyeshme e konsideron Beja dhe dërgimin e çështjes së detit në Hagë pasi, sipas tij marrëveshjet që bëhen për ligjin ndërkombëtar të detit, bëhen në Gjykatën e Posaçme të Hamburgut.

“Kemi 12 vjet që të dy qeveritë kanë dështuar në marrëveshjen me Greqinë. Në rastin e parë na ndihmoi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në rastin e dytë kemi dështuar aq shumë sa jemi dorëzuar te pala greke sa për ta çuar në Gjykatën e Hagës. Në Hagë palët shkojë pa marrëveshje. E përsëris kur keni rënë dakord pse duhet çuar në Hagë? Pse në Hagë? Marrëveshjet që bëhen për ligjin ndërkombëtar të detit bëhen në gjykatën e posaçme të Hamburgut. Rasti i Greqisë me Shqipërinë është rasti më i lehtë i mundshëm për t’u ndarë mes dy palëve”.

Inferioritet deri në servilizëm të palës shqiptare që nuk dëgjon ekspertët, por bëhet palë për të mbrojtur projektin grek dhe jo atë shqiptar e konsideron Vladimir Beja çështjen e zgjerimit të 12 miljeve. Sipas tij kufijtë detarë të shtetit shqiptar janë përcaktuar nga fuqitë e mëdha, ndërsa sjell në vëmendje çminimin e kanalit të Korfuzit.

“Kufijtë detarë të shtetit shqiptar janë përcaktuar nga fuqitë e mëdha.  Të thuash sot që nuk kemi patur marrëveshje me Greqinë. Del një spurdhjak e thotë s’kemi pasur kufij me Greqinë. Ne kemi patur sipas ligjeve ndërkombëtare të kohës , të cilët nuk janë të kontestuara nga pala greke. Në 8 shkurt 1958 është çminuar kanali i Korfuzit nga marina shqiptare dhe greke kanë bërë hartën, janë përcaktuar deri në 15 gusht kanë bërë hartën ndërkombëtare dhe e kanë dorëzuar në OKB. Nuk mundet që të mos respektohet kjo gjë. Ke të gjitha hartat. Është e turpshme, shteti shqiptar nuk fillon pas ‘92. Me metodologji të një injoranti e të padituri ka përfituar pala greke dhe këta bien pre e presionit grek për të miratuar çdo gjë që miraton shteti grek. Që nga viti ‘46 Greqia nuk e ka ndryshuar ligjin me 6 milje me vendet e tjera tani kërkon me 12 milje me ne”

Por pavarësisht kësaj, Beja thotë se ligji ndërkombëtar i detit do ta ndëshkojë Greqinë, se raporti i kontinentit me ishujt është i përcaktuar qartë. Sipas tij  Shqipëria është shumë e fortë në pozita ndërkombëtare.

“Shqipëria është shumë e fortë në pozita ndërkombëtare, shteti shqiptar i ka të gjitha mundësitë për të mos iu bindur megallomanisë greke. Nëse do të respektohet metodologjia Itali-Shqipëri të respektohet dhe metodologjia Itali-Greqi në 77, koordinata janë njësoj por ata kanë rënë dakord ta interpretojnë si një zonë që të mos pengohet Greqia në këtë rast. Ligji ndërkombëtar i detit do ta ndëshkojë Greqinë, se raporti i kontinentit me ishujt është i përcaktuar qartë. Edhe Greqia do të marrë vetëm 30% dhe asnjë milimetër dhe këtë kryeministri duhet t’ia deklarojë popullit të tij që të qetësohen të gjithë. Greqia nuk ka në dorë as veten e vet, jo më ne. Ndarja e detit do të bëhet sipas ligjit ndërkombëtar”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli