Dosja “Ndrangheta”, SPAK kërkon informacion nga Agjencia e Prokurimit Publik

SPAK i ka kërkuar informacion Agjencisë së Prokurimit Publik për hetimin e nisur për përgjimet e Ndrangheta-s.

Mësohet se SPAK kërkon listën e tenderave të dhënë që nga viti 2013 veçanërisht për kompaninë Perobar që përmendet në përgjime.

Nga ana tjetër, hetuesit e SPAK, pas mbërritjes në Shqipëri, kanë marrë nga autoritetet italiane dosjen për të çuar më tej hetimin në Shqipëri. Hetimet e prokurorisë së Katanxaros për klanin mafioz Ndrangheta, ku në përgjime flitet dhe për favorizime për investime në Shqipëri, u legjitimuan edhe nga Gjykata Katanxaros.

Krahas hetimit penal, gjykata vendosi sekuestrimin e 59 kompanive, 45 mjete nga të cilat 29 makina, 77 llogari rrjedhëse, 24 karta krediti rimbushëse, 1 lingotë ari, 1 orë Rolex dhe një skaf të tipit Invictus.

Autoritetet italiane verifikuan 1800 llogari bankare ku ishin xhiruar 250 milionë euro. Nga bisedat e përgjuara del se mafia italiane kishte dërguar biznesmenin Antonio Gallo në vendin tonë që të futet në tendera për ngritje biznesesh nëpërmjet të cilave do të bëhej dhe pastrimi i parave.

Përgjimet shkaktuan zhurmë të madhe në vend si nga ana e opozitës dhe nga mazhoranca, por të dy prokuroritë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm, ndërsa SPAK ka kërkuar nga ministria e drejtësisë listën e përkthyesve që do të shqipërojnë dosjen.