
Gjermania, Suedia dhe Polonia kanë vendosur t’i përgjigjen Moskës dhe të dëbojnë diplomatët rusë pas vendimit të ngjashëm në ditët e fundit nga Kremlini, për të dëbuar përfaqësuesit e tre vendeve evropiane.
Por në një deklaratë për televizionin shtetëror rus, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, i konsideroi këto veprime të pabazuar dhe ndërhyrje në punët e brendshme ruse.
“Vendimet e marra sot nga Gjermania, Suedia dhe Polonia janë të pabazuara, jo miqësore dhe nuk janë asgjë më shumë se vazhdimi i një serie veprimesh që Perëndimi po ndërmerr ndaj vendit tonë dhe të cilat ne i kualifikojmë si ndërhyrje në punët tona të brendshme”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.
Kremlini akuzoi tre diplomatët e BE-së për pjesëmarrje në protesta masive në rrugë, në mbështetje të liderit të burgosur të opozitës Alexei Navalny.
Dëbimi i tyre u njoftua, ndërsa shefi i punëve të jashtme të BE Josep Borrell po vizitonte Moskën të premten.