Manastirliu zbulon protokollet për trajtimin e pacientëve me Covid, apel qytetarëve: Në rast agravimi drejtohuni në spitale

manastirliu 2 1100x620

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka zbuluar protokollet për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Sipas ministres, mjekët e familjes ndjekin pacientët që preken nga forma e lehtë dhe e moderuar e sëmundjes. Por, Manastirliu tha se devijimi nga protokolli është kthyer në një shqetësim dhe në spitale shkojnë shumë qytetarë në gjendje të agravuar.

Ministrja iu bëri apel qytetarëve që në rast rëndimi të simptomave t’i drejtohen spitaleve dhe të ndiqen nga mjekë të specializuar për atë protokoll.

“Për strukturat tona të shëndetësisë dhe për ekspertët mbetet një shqetësim, elementi që ka të bëjë me devijimin nga protokollet e standardizuara që ne kemi.

Aktualisht, ne kemi protokoll të standardizuar për trajtimin ambulator në banesë. Një protokoll i cili ndiqet nga mjeku i familjes për formën e lehtë dhe të moderuar të sëmundjes.

Protokolli, i cili është i ndryshueshëm, është protokoll për t’u zbatuar nga mjekë që janë të kualifikuar për t’i dhënë këto protokolle dhe që për format e lehta dhe të moderuara, është mjeku i familjes dhe askush tjetër.

Sa i takon protokolleve spitalore, dhe këtu bëj dhe njëherë bëj thirrje sepse është shqetësim për ne, vijnë qytetarë në kushte të agravuara shëndetësore, do të thotë që e traskurojnë veten duke qëndruar në banesë dhe duke marrë terapi në shtëpi. Por, duke mos bërë analizat laboratorike dhe imazherike më shumë ndonjëherë dëmtojnë se shpëtojnë. Në parimet e mjekësisë, të mos bësh dëm është e para. Apeli për qytetarët është se në rast agravimi të simptomave duhet të drejtoheni në spitale te mjekët e specializuar për trajtimin në spitale.

 Ajo që ne po bëjmë, për trajtimin në banesë me protokolle spitalore, jemi duke marrë masa në raport me standardizimin e recetës së mjekëve, kur ato dërgohen në farmaci. Kjo recetë do na mundësojë të shikojmë në kohë reale se cili mjek përshkruan këto barna, mbi çfarë baze protokolli i shkruan ato, për të marrë më tej masat e duhura”, u shpreh Manastirliu.