Paketa me 1,9 trilionë dollarë, plani i ndihmës ekonomike i Biden s’ka mbështetje dypartiake

Administrata Biden thotë se paketa e tyre e ndihmës për covid-19 do të ndihmojë njerëzit të kthehen në punë. Sipas sekretares së Thesarit, Janet Yellen, nëse kjo paketë miratohet, “do të kemi një punësim të plotë vitin e ardhshëm”.

Plani 1,9 trilionë dollarësh përfshin edhe ndihma për biznesin e vogël që lufton për mbijetesë, por edhe për familjet me pasiguri ushqimore. “Po operojmë në një kohë me norma interesi historikisht të ulëta. Ky është një moment ku rreziku më i madh që mund të ndërmarrim, siç ka thënë presidenti, nuk është risku për të bërë shumë. Por risku për të bërë shumë pak”, tha Pete Buttigieg, sekretar i Transportit.

Pavarësisht shpresës së presidentit Biden për një dakordësi dypartiake, disa republikane shprehen kundër. Ata pretendojnë se janë lënë jashtë procesit të përpilimit të planit. Ndërsa përpjekjet legjislative ecin përpara, një grupim dypartiak në dhomën e ulët të kongresit po kërkon aprovimin e shpejtë të paketës tjetër me 160 miliardë dollarë për shpërndarjen e vaksinave.