Programi i PD-së për arsimin, Mehmeti: Nuk është i shtrenjtë, po të marrësh në konsideratë shpenzimet e luksit që janë bërë

mehmeti 1100x620

Ndriçim Mehmeti, përfaqësues i Partisë Demokratike për arsimin, deklaroi në studion e “Absolut 4” se me programin e saj, PD-ja ka synim që të kapë çdo fashë dhe, sipas tij, nuk është program i shtrenjtë.

“Kemi bërë program që synon të kapë çdo fashë. Programi nuk është i shtrenjtë, po të marrësh në konsideratë shpenzimet e luksit që janë bërë. Buxheti për arsimin nuk është sa tha zv/ministri i Arsimit, 4,6%. Buxheti i shtetit për arsimin është 2,31%, shifër nga INSTAT. Ne nuk po themi se do të bëjmë një pedagog si në Finlandë, por një pedagog me një pagë dinjitoze. Në rast se flasim për rroga, do të kenë një rritje 15% çdo vit për mësuesit e arsimit parauniversitar”, u shpreh Mehmeti.

Por, Migen Qiraxhi theksoi se PD-ja po përqendrohet te aspekti financiar dhe jo te cilësia e arsimit: “Më le shije jo të mirë që programi fokusohet te problemet financiare, por jo te cilësia e arsimit. Pa prekur çështjen e cilësisë së arsimit, ne do të mblidhemi sërish të diskutojmë të njëjtat probleme të këtij produkti, që sot nuk ka vlerë”.

Ndërsa, për analistin Julian Zyla, “premtimet e PD-së janë si një karrocë supermarketi, ku ti lë fëmijën që ta mbushë me çfarë të dojë, por e di shumë mirë që nuk ke para’ për t’i paguar të gjitha gjërat”.

“Kjo parti ka kritikuar rritjen e mëtejshme të borxhit publik, atëherë më çfarë do t’i bëjnë?”, tha Zyla.