Rama: Kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të Covid-19

edi ramaaa 1 1100x620

Në një konferencë të jashtëzakonshme, së bashku me ministren e Shëndetësisë Manastirliu, Rama u shpreh se ka sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varienteve të reja të virusit Covid-19.

“Jemi në një konferencë të pazakontë. Arsyeja lidhet me domosdoshmërinë për të përcjellë një mesazh të qartë tek të gjithë qytetarët e këtij vendi në kushtet kur po shohim një rritje të numrave të infektimeve, kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit Covid-19. Po rritet infektimi i moshave më të reja dhe po ulet edhe mesatarja e moshës së të shtruarve në spitale”.

Më tej, kryeministri kërkoi zbatimin e rregullave nga të gjithë, ndërsa theksoi se këto rregulla po shkelen edhe nga politikanët, duke mbajtur takime.

“Nëse secili nuk bën tani detyrën, atëherë situata rrezikon seriozisht të përkeqësohet, numri rrezikon të rritet. Patjetër, edhe barra e ngarkesës mbi sistemin shëndetësor rrezikon të rëndohet, në kushtet kur në fakt është e shmangshme. Jemi të gjithë të qartë që masat propozohen nga komiteti teknik, por nga ana tjetër, ne që jemi këtu, kemi detyrimin të bëjmë më shumë sesa të tjerët, që zbatimi i masave të jetë sa më korrekt”.

Sa i përket vaksinave, kryeministri theksoi se Pfizer do të fillojë lëvrimin e sasive të tjera, duke nisur nga mesi i shkurtit.

“Vaksinat do të shtohen dhe numri i vaksinimeve do të rritet. Ama, koha kur vaksinat dhe masa e numrit të të vaksinuarve të këpusë zinxhirin është ende larg”, tha Rama.