Rritet numri i viktimave në Itali, ulen rastet pozitive

Itali COVID 1 1100x620

Italia ka regjistruar rritje të numrit të viktimave në 24 orët e fundit dhe ulej të rasteve pozitive krahasuar me një ditë më parë. Sot në vendin fqinj janë shënuar 307 viktima, krahasuar me 207 që ishin një ditë më parë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 7970 raste pozitive me koronavirus përkundër 11 641 rasteve të një dite më parë.

Rastet pozitive ndikohen nga rënia e ndjeshme e testeve në fundjavë dhe veçanërisht të dielave. Në 24 orët e fundit  u kryen 144 270  teste molekulare dhe antigjenike, ndërsa dje kishte 206 789. Pavarësisht kësaj, shkalla e pozitivitetit sot është 5.5%, e qëndrueshme krahasuar me dje, kur ishte 5.6%.

Numri i njerëzve të shtruar në terapi intensive është në rritje, aktualisht janë 2143 pacientë, 36 më shumë se një ditë më parë. Pranimet ditore ishin 139, ndërkohë që është rritur edhe numri i pacientëve me simptona në 19 527, ose 261 më shumë se dje.

Viktimat zyrtare të Covid-19 në Itali kanë arritur në 91 580, ndërsa rastet totale janë 2 644707. Të shëruarit janë 2 133 523, ndërsa në izolim shtëpiak janë 397934 persona.