Rusi-BE, marrëdhënie që cenohen pas arrestimit të Navalny-t

Bashkimi Europian gjendet në një ngërç diplomatik me Rusinë, me rastin e arrestimit të kryeopozitarit Alexey Navalny dhe ngjarjeve që pasuan. Shefi i politikës së jashtme në BE, Josep Borrell shkroi në “Twitter” qëndrimin e tij në lidhje me çështjen.

“Rusia po e shkëput veten e saj nga Europa çdo ditë e më shumë dhe me sjelljen e saj po i konsideron vlerat demokratike si kërcënim për ekzistencë”, tha Borrell.

Ndër të tjera, ai dënon edhe shpalljen “non grata” të tre diplomatëve dhe largimin e tyre, një deklaratë që gjeti menjëherë mbështetjen e Merkel dhe Macron.

“U njoftova mbi largimin nga vendi të diplomatëve gjermanë, suedezë dhe polakë dhe më duhet të them se e gjejmë të pajustifikuar arsyen e këtij veprimi që përbën një tjetër hap larg rregullit dhe ligjit nga pala ruse”, tha Merkel.

“E dënojmë veprimin e Rusisë dhe mendoj që tensionet politike, edhe ato të brendshme nuk zgjidhen në këtë formë”, u shpreh Macron.

BE po mbledh informata të ndryshme në lidhje me sa ndodhën në Rusi. Gjatë videokonferecës, të hënën me aleatët e Navalny-t në Kremlin, u bashkuan edhe përfaqësues nga Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja dhe Ukraina.

Në Bruksel po flitet për sanksione shtese ndaj Rusisë mbi të cilën disa janë në fuqi që prej aneksimit të Krimesë në 2014. Gjithsesi, perëndimit i duhet Rusia si një furnizues i gazit dhe fuqi diplomatike që ndikon në rajon për sa i takon çështjeve me rëndësi si marrëveshja bërthamore me Iranin.