Vaksina e AstraZeneca dhe efikasiteti i saj, Alimehmeti: Nuk është produkti më i mirë në treg

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, ishte i ftuar në Dita Jonë ku bëri një përmbledhje të situatës së pandemisë në vendin tonë dhe gjithashtu solli studimet më të fundit nga variantet e reja të virusit që janë bërë nga universitetet britanike.

Një vëmendje të veçantë në bisedën e mëngjesit me mjekun Alimehmeti zuri dhe çështja e vaksinës, duke qenë se në ditët në vijim në Shqipëri mbërrijnë dozat e para të vaksinës së AstraZeneca në bazë të programit të Covax.

Sipas mjekut Alimehmeti, shumë vende europiane në bazë të evidencave kanë vendosur që kjo vaksinë të mos përdoret për moshat mbi 65 vjeç dhe kjo tregon se efikasiteti i saj është më i ulët, duke e bërë të mos jetë produkti më i mirë në treg.

“Ne bazohemi në atë çfarë thonë të dhënat dhe ato e tregojnë qartë, flasin deri te grupmosha 65 vjeç. Nuk janë të pakta shtetet që kanë marrë këtë vendim për vaksinën e AstraZeneca. EMA është një entitet europian, por më pas çdo shtet ka agjencitë e tij. Duhet të marrim parasysh që sot, për sa i përket efektivitetit AstraZeneca është më e ulëta nga të gjitha. Për sa i përket metodologjisë së studimit është më e ulëta nga të gjitha dhe përsa i përket konceptit të formave të reja të virusit, duket se efikasiteti i saj është sërish më i ulët se vaksinat e tjera.

Nuk është produkti më i mirë në treg. Në këtë pikë evidencat tregojnë qartë përdorimin e saj nga grupmosha 18-65 vjeç. Jashtë kësaj evidencat nuk e mbështesin. Te moshat e reja ka një efikasitet deri në 75%. Ka shumë shqetësime në këtë drejtim dhe krahasimi është bërë me një vaksinë tjetër. Ka një nënraportim të efekteve anësore që është shqetësuese tek ai raportim. Por, EMA do të ketë pasur një studim të plotë. Automatikisht kjo është grupmosha e këshilluar”, tha Alimehmeti.