Zv/ministri i Arsimit në “Absolut 4”: Kemi realizuar një reformë të plotë kurrikulare në arsim

Olti Rrumbullaku, zëvendësministër i Arsimit, i ftuar në studion e “Absolut 4”, deklaroi se në arsim “është realizuar një reformë e plotë kurrikulare në arsim”.

“Nëse para vitit 2013, kurrikulat tona konsideroheshin si shumë të ngarkuara, gjatë kësaj kohe jemi marrë me rregullimin e kësaj çështjeje. Në testimet ndërkombëtare jemi nga më të mirët dhe ky është rezultati i merituar i gjithë këtyre viteve të reformës”, deklaroi Rrumbullaku.

“Shpresojmë që pas një ose dy vitesh të kishte shumë më tepër shkolla me standarde më të mira, që të kenë jo vetëm elementin e arsimit”, shtoi zv/ministri.

Por, Migen Qiraxhi, përfaqësues i “Qëndresa Qytetare”, u shpreh se qeveria nuk i ka mbajtur premtimet e saj për arsimin: “Nga të dhënat e fundit të INSTAT-it, ata që janë të paarsimuar kanë më shumë shanse që të punësohen sesa të arsimuarit. Na u premtua për 140 shkolla të reja, por vetëm 7 u ndërtuan në 4 vitet e fundit; nuk kemi asnjë emër pedagogu të lidhur me korrupsionin; nuk kemi kampusin universitar; jemi shumë larg transparencës së universiteteve, pasi nuk ka të dhëna për tenderat e universiteteve; kemi probleme me kurrikulat”.

Sipas analistit Julian Zyla, edhe pse “ka më pak nxënës dhe mësues në shkolla, duhet analizuar shkollimi i individëve”.

“Nëse në një debat me arsimin, thua që punësohen më shumë njerëz të paarsimuar, kjo nuk ka lidhje fare me arsimin. Kjo është vetëm një e dhënë mbi tregun”, tha Zyla.