Ankandi për Spitallën, 5 kompani në garë për Parkun Fotovoltaik

Ankandi për Parkun Fotovoltaik të Spitallës ka ngjallur interesin e shumë kompanive që duan të investojnë në sektorin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri. 5 oferta zyrtare i janë paraqitur Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përkatësisht nga një konsorcium shqiptaro-indian, francezët e Voltalias, fituese e ankandit për Karavastanë, dy kompani gjermane dhe një kompani kineze.

Zv/ministri Gjergji Simaku, zbulon aktualisht po vlerësohet përmbushja e kritereve teknike, për ndërtimin e parkut me kapacitet 100 MW.

Duke parë interesin e lartë të investitorëve vendas dhe të huaj, Simaku shprehet se brenda vitit pritet të mbahen ankandet e tjera, që do të rrisin prodhimin e energjisë nga dielli dhe era.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria prodhon aktualisht rreth 0.8% të energjisë nga burimet alternative, ndërsa pjesa tjetër prodhohet nga hidrocentralet, duke krijuar një varësi tepër të lartë nga kushtet e motit. Për këtë arsye, diversifikimi i energjisë, shihet si prioriteti kryesor në fushën e energjisë.