Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

MB TRUMP frame 477 1100x620

“Ekonomia në fokus”, kryeministri Rama në konferencë

Kryeministri Rama mban sot në orën 11:00 konferencën e përjavshme me fokus ekonominë. Por, më shumë se ekonomia, gazetarët me siguri, në pyetjet e tyre, do ndalen tek aktualiteti politik në vend dhe shëndetësia. Në lidhje me këtë të fundit, gjatë konferencës së djeshme, ministrja për Shëndetësinë,  Manastirliu, përshkroi situatën e vështirë që vjen si pasojë e mosrespektimit të masave.

U shkarkua nga vetingu, Strasburgu vendos sot për Altina Xhoxhaj

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg pritet të shpallë sot vendimin për çështjen e ngritur nga ish-gjyqtarja kushtetuese, Altina Xhoxhaj, në lidhje me procesin e vetingut të gjyqtarëve. Sipas Xhoxhaj, që përbën të parin rast të adresimit të gjyqtarëve në lidhje me procesin e vetingut në Strasburg, mënyra e zhvillimit të tij shkel të drejtat e njeriut.  Xhoxhaj ka pretenduar para trupës gjykuese ndërkombëtare për një seri shkeljesh gjatë procesit të vetingut, përfshirë të drejtën për një proces të rregullt ligjor, e zhvilluar nga një trupë e pavarur, e paanshme dhe e aftë për detyrën. KPK e shkarkoi gjyqtaren në mars të vitit 2018, vendim që u la në fuqi në tetor të po atij viti.

Mbyllen sot bisedimet për qeverinë e re në Itali

Mbyllet sot në mesditë raundi i dytë 36-orësh i takimeve mes të deleguarit për krijimin e qeverisë me bazë të gjerë të Mario Draghi dhe partive në Senat. Deri atëherë, Draghi do i parashtrojë palëve planin konkret të ndërtimit të qeverisë ku në takime priten partitë e mëdha. Pas kësaj, mund të gjykohet për një takim jashtë Senatit si dhe prezantimi para shoqërisë civile. Deri më tani, ai duket se e ka mbështetjen e gjerë që do të thotë se nesër mund të bëhet edhe prezantimi i emrave të piketuar për ministra.

Kongresi nis sot gjykimin e Donald Trump

Kongresi amerikan nis sot gjykimin ndaj ish-presidentit Donald Trump me akuzat e organizimit të kryengritjeve në Kapitol më 6 janar ku mbetën të vrarë 5 persona, mes të cilëve një efektiv policie. Nëse faktohen akuzat, dhe Trump dënohet, atij i ndalohet rikandidimi për të njëjtin post. Pala përfaqësuese e mbrojtjes ndërkohë kërkon rrëzimin e akuzave për sa kohë që shkarkimi i Trump nuk mund të jetë më një mundësi. Gjithsesi, për të dënuar Trumpin, demokratëve iu duhen edhe 17 vota nga pala republikane, çka sipas gjasave zor se arrihet. 

Pandemia, Holanda shtyn izolimin deri më 2 mars

Shtetet europiane po përballen të gjitha me valën e koronavirusit dhe planin e masave shtrënguese. Pavarësisht protestave sporadike, në shumë qytete që e kundërshtojnë atë, ende sot e kësaj dite shumë biznese, shkolla dhe shërbime figurojnë jashtë funksionit. Në këtë trend, Holanda e shtyu izolimin e pjesshëm, deri më 2 mars. Pas konsultimeve me stafet shëndetësore në vend dhe duke parë trendin e përhapjes së virusit ministri i Drejtësisë doli vetë përpara mediave për ta njoftuar lajmin.

Variantet e reja të Covid, Britania do të nisë një testim masiv

Në Britaninë e Madhe është shtuar alarmi për variantin e ri të koronavirusit. Sikurse citojnë burimet, dikasteret e shëndetësisë nuk po mund ta frenojnë përhapjen e tij pavarësisht masave dhe në këtë kuadër do i nënshtrohen një testimi të gjerë, derë më derë të qytetarëve për të evidentuar bartësit e tij në zonat që rezultojnë më të prekura. Pjesë e alarmit ndërkohë mbetet edhe importi i të tjera varianteve nga jashtë territorit, si ai i Afrikës së Jugut dhe Brazilit.

Programi bërthamor i Iranit, SHBA kthen përgjigje

Për Iranin erdhi më në fund edhe përgjigjja nga administrata e re amerikane për tryezën e marrëveshjes bërthamore. Nëse Shteti Islamik i Iranit do t’i përmbahet plotësisht marrëveshjes nukleare thuhet në të, Amerika do të ulet në tryezë duke respektuar çdo pikë të saj, gjithashtu duke shtuar edhe disa pika të tjera. Njoftimin e bëri zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë pas këmbënguljes së presidentit Hasan Rouhani për një përgjigje mbi këtë çështje.

Kupa e Italisë, vendoset sot finalisti i parë mes Juventus dhe Inter

Juventus përballë Inter. Për të tretën herë në harkun e 3 javëve, por me ndeshjen që këtë herë luhet në shtëpinë e bardhezinjve. Dy rivalët historikë të kampionatit italian përplasen sërish, këtë herë për të vendosur se cila do të jetë skuadra që do të shkojë në finale. Ndërsa në kampionat të dy skuadrat i përgjigjen dhëmbë për dhëmbë, javë pas jave, në aktin e dytë gjysmëfinal, Zonja e Vjetër është e favorizuar prej fitores 2-1 në 90 minutat e luajtura në “San Siro”, nën shenjën e Cristiano Ronaldos. 

Basketboll, Lakers marrin fitoren e 18 të sezonit

Lakers vijon rrugëtimin për mbrojtjen e titullit kampion në NBA. Skuadra nga Los Anxhelos mundi me vështirësi 119-112 Oklahoma Thunder, madje u desh koha shtesë për të përcaktuar fituesin. Në përfundim të katër periodave të rregullta, rezultati u fiksua në 110-110. Në shtesë, kampionët janë të saktë nën udhëheqjen e Lebron James dhe shënojnë mjaftueshëm për të siguruar fitoren e 18 të këtij sezonit. Gara në konferencën e perëndimit duket se do të jetë mes tyre dhe Utah Jazz që kryesojnë për momentin me një fitore më shumë.