Situata kritike nga Covid-19, Brataj: Do të duhen masa të tjera, nuk besoj te riinfektimet

Situata nga përhapja e koronavirusit është kritike. Tregues për Skënder Bratajn janë dhe thirrjet e qytetarëve drejt Urgjencës Kombëtare si dhe kërkesat e shtuara për shërbim mjekësor në banesë.

“Jemi në nivelin e 2300 thirrjeve në 24 orë. Ajo që më shqetëson është fakti që nga 430-440, sot jemi në 527 vizita në banesë dhe nga të cilat 2013 janë për Covid”.

Eksperti i Komitetit Teknik nuk është për një mbyllje të dytë të vendit, por mbështet ashpërsimin e masave për të ulur infektimet në popullatë.

“Duhet të insistohet që masat të respektohet, të cilat ishin të mjaftueshme. Nëse nuk mjaftojnë mund të ketë edhe masa të tjera”, shprehet Brataj.

Ndryshe nga ministrja e Shëndetësisë dhe disa kolegë të tij, Skënder Brataj, ka një tjetër qëndrim në lidhje me riinfektimet që po përfliten në këtë periudhë.

“Nuk mendoj se ka riinfektime, por ka akoma mbeturina të virusit, të cilat herë pas here dalin pozitive. Këtë nuk duhet ta ngatërrojmë me riinfeksion. Unë mendoj se me këtë pandemi, nëse do të kishim edhe riinfektime do të kishim numra shumë më të tmerrshme. Nuk duhet të përhapim një gjë jo të vërtetuar shkencërisht”.

Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht rasti i parë me variantin britanik të Covid-19, Brataj nuk përjashton mundësinë e qarkullimit të tij në vendin tonë pas rritjes së menjëhershme të infektimeve.