U kap duke transportuar klandestinë, të riut i gjendet edhe drogë në banesë

1523519090 policia 600x338

Një 30-vjeçar është arrestuar pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe iu gjetën lëndë narkotike në banesë.

I riu u ndalua në afërsi të fshatit Guri i Kuq në Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “BMW X5”, pesë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 500 euro në total, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë e Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. L., 30 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore, në afërsi të fshatit Guri i Kuq, Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “BMË X5”, pesë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 500 euro në total, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve të kryera në lidhje me këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. L., në lagjen nr. 9, Korçë, ku kanë gjetur një sasi të vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.