U shkarkua nga vetingu, “Strasburgu” rrëzon pretendimet e gjyqtares shqiptare

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg rrëzoi pretendimet e ngritura nga ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, kundër procesit të vetingut. Me shumicë votash Strasburgu vlerësoi se procedurat e vetingut që çuan në shkarkimin nga detyra të ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj nuk ishin në shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Xhoxhaj u ankua në Strasburg duke pretenduar organet e vetingut nuk ishin të pavarura e të paanshme, se procesi ndaj saj kishte qenë i parregullt duke iu shkelur kështu të drejtat e njeriut dhe se shkarkimi i saj nga detyra kishte qenë arbitrar.

Të gjitha pretendimet e ish-gjyqtares, që kur ishte pjesë e Kushtetueses votoi në favor të kushtetutshmërisë të ligjit të vetingut, u rrëzuan nga Strasburgu. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, vendimet e së cilës janë detyruese për Shqipërinë, arsyetonte se organet e vetingut janë të pavarura dhe të paanshme dhe se anëtarët e trupave të tyre janë zgjedhur në përputhje me ligjin.

Vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut

Me shumicë votash (6 kundër 1) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për sa i përket pretendimit për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut,

Me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 për sa i përket pretendimit për parregullsi të procedurave,

Me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 për sa i përket pretendimit për mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit,

Me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 për sa i përket pretendimit për shkelje të parimit të sigurisë juridike, dhe

Me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare).

I pabazuar u vlerësua edhe pretendimi i Xhoxhajt, se organet e vetingut kishin rol të dyzuar pasi bënin edhe hetimin administrativ edhe merrnin vendim përfundimtar bazuar në hetimin e bërë prej tyre.

Në analizim të parashtrimeve të palëve, mes të cilave edhe të Komisionit Europian, gjykata vlerësonte se shkarkimi i Xhoxhajt në qershor 2018 ishte proporcional me ligjet ne fuqi. Vendimi për Xhoxhajn përbënte të parin rast kur Strasburgu shprehej për vetingun në vend.

Ndërkohë në këtë gjykatë kanë bërë ankim gati 30 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga detyra, të cilët kanë ngritur pretendimet të ngjashme me Xhoxhajn.