Zbulohet pas 60 vjetësh shkaku i tragjedisë së alpinistëve të “Dyatlov Pass”

siberi 1100x620

Mbi 60 vjet më parë, nëntë alpinistë rusë vdiqën në rrethana misterioze në Dyatlov Pass në Siberi. Sot shkenca duket se më në fund e ka zgjidhur çështjen.

Më 27 janar 1959, dy djem dhe tetë vajza u nisën me ski për të arritur në majën e malit Góra Otorten, në Urale, në Siberi. Vetëm njëri prej tyre u kthye i gjallë në 28 Janar. Trupat e shokëve pothuajse të gjithë studentët e rinj të Institutit Politeknik Ural, u gjendën pas një-dy muajsh. Autoritetet sovjetike hetuan incidentin, por pas tre muajsh ata mbyllën çështjen e Dyatlov Pass me një fjali të përgjithshme: “Tragjedia kishte ndodhur për shkak të forcave natyrore misterioze”.

Në vitin 2019, me kërkesë të familjarëve të viktimave, hetimi rihapet. Hipoteza më e pranuar është ajo e një orteku, i cili shpërtheu disa orë pas prerjes së shpatit të bërë nga të rinjtë për të ngritur çadra, gjë që do të befasonte skiatorët e rinj gjatë natës, ndërsa ishin duke fjetur. Por disa aspekte të historisë kundërshtojnë këtë teori: ndër të tjera, fakti që pjerrësia mbi çadra ishte shumë e ulët (më pak se 30 °) për të lejuar formimin e ortekut dhe natyrën e dëmtimeve në kafkë dhe gjoks të disa të rinjve, që është e pazakontë për viktimat e ortekut.

Johan Gaume, profesor në Shkollën Federale të Politeknikut të Lozanës (EPFL) dhe Alexander Puzrin, nga Politekniku Federal i Zyrihut, u thirrën të zgjidhnin këtë rast të ftohtë dhe rezultatet e studimeve të tyre i përshkruan në një artikull të botuar në Nature.

Të dy ekspertët konfirmuan se tragjedia e ndodhur në Dyatlov Pass, e quajtur për nder të udhëheqësit 23-vjeçar të ekspeditës, do të kishte ndodhur pikërisht për shkak të një orteku, të shkaktuar nga pjerrësia. Gaume dhe Puzrin u përpoqën të rindërtonin atë që ndodhi, të ndihmuar nga simulimet kompjuterike dhe duke përdorur modele analitike dhe numerike.

“Objektivi kryesor i artikullit tonë është të shpjegojmë se si ishte e mundur që orteku të binte disa orë pasi ishte prerë shpati”, shpjegon Gaume. Përveç kësaj për të treguar se dëmtimet e pësuara nga të rinjtë mund të ishin shkaktuar nga orteku, ekspertët shpjeguan se faktori kryesor që çoi në tragjedi ishte prania e erërave katabatike (nga greqishtja katabatikos, që shkon në drejtim të poshtëm) që shtyjnë ajrin nga lart poshtë. Këto erëra do të mbartnin dëborë që do të ishte grumbulluar në majë për shkak të një tipari specifik të terrenit të panjohur për grupin e alpinistëve. “Nëse ata nuk do të kishin prerë shpatin, kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur”, thotë Puzrin.

Por Gaume dhe Puzrin saktësojnë se është e pamundur të flasësh për siguri dhe nënvizojnë se aksidenti do të mbetet përgjithmonë i mbuluar me mister. “E vërteta është se askush nuk e di se çfarë ka ndodhur në të vërtetë atë natë, por çfarë kemi zbuluar, tregon që orteku i hipotezës është absolutisht i besueshëm”- tha Puzrin.