Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2021, 07:57 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Pandemia, Komiteti i Ekspertëve pritet të shpallë masat e reja

Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë mblidhet sot për të vendosur mbi masat që janë në fuqi mbi parandalimin e përhapjes se virusit. Kryeministri njoftoi dje në konferencën me gazetarët se priten masa shtesë, por, sipas tij, asnjë shtrëngim nuk ka efekt nëse masat nuk respektohen. Për këtë, ai i bëri thirrje edhe një herë qytetarëve të mbajnë maska dhe bizneseve të respektojnë të gjitha udhëzimet e ekspertëve, përndryshe do të ndërhyhet me gjoba të majme.

Zgjedhjet, diskutohet sot në komisione fondi për partitë politike

Në komisionet parlamentare për Ekonominë dhe Çështjet Ligjore diskutohet sot fondi i vënë në dispozicion të KQZ për t’u shpërndarë partive politike që marrin pjesë në zgjedhje. Sipas fondit, Partia Socialiste përfiton 63.4 milionë lekë, më shumë nga të gjitha, me PD-në në vend të dytë me 38.9 milionë lekë, LSI-në në vend të tretë me 20 milionë lekë.

“Nuk mund të bëjmë vetëm ne kompromise”, Haradinaj kërcënon Serbinë

“Kosova ka afatet e veta dhe nuk do të presë pafundësisht Serbinë”. Kjo ishte deklarata më e fundit e kandidatit për president në Kosovë, Ramush Haradinaj. Bashkimi me Shqipërinë, sipas tij, do të bëhet për t’i treguar Serbisë të mos presë që të jetë Kosova që bën kompromise. “Për këtë arsye, ajo ka afat deri në vitin 2024 për të vepruar sipas rregullave ndërkombëtare, në të kundërt ne do te vijojmë me planin tonë”, tha ai. Në lidhje me këtë çështje, Haradinaj pohon se nuk ka pasur kontakte nga ana e Brukselit për deklaratat. 

Senati vendos: Gjykimi i Trump kushtetues

Senati amerikan votoi çuarjen përpara të procesit gjyqësor ndaj Donald Trump. Në një takim maratonë, senatorët dëgjuan akuzat e demokratëve që e nisën procesin dhe argumentin e palës mbrojtëse që e cilëson atë si antikushtetues dhe në fund votuan për vijimin e tij me 56 vota pro dhe 44 kundër. Rezultati tregon që edhe 6 republikanë votuan me demokratët.

Biden mban premtimin, SHBA qëndron në OBSH

Amerika konfirmon qëndrimin e saj në OBSH. Shefi i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e mirëpriti njoftimin, i cili vjen pas konfirmimit muajin e kaluar se Uashingtoni nën presidentin Joe Biden nuk do të largohet nga OBSH-ja. Vijueshmëria në të u konfirmua gjatë një konference online të një pushtetari amerikan që konfirmoi se vendi do të marrë pjesë në një program për të shtuar testimet, diagnostikimet dhe vaksinat kundër koronavirusit, ndërkohë që u bashkohet përpjekjeve globale për t'iu përgjigjur pandemisë.

Turqia me mision në Hënë, brenda 2023

Edhe Turqia ka në plan të ketë një mision të sajin në Hënë që pritet ta realizojë brenda dy vjetësh. Lajmin e konfirmoi presidenti Erdogan, i cili muajin e kaluar pati edhe nje komunikim me shefin e kompanisë “Tesla” Elon Musk në lidhje me mundësinë. “Ulja e parë në Hënë do të bëhet me raketën tonë kombëtare dhe autentike hibride, që do të lëshohet në orbitë në fund të vitit 2023, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Erdogan. “Këmbët tona do të jenë në tokë, por sytë tanë do të jenë në hapësirë. Rrënjët tona do të jenë në tokë, degët tona do të jenë lart në qiell”, u shpreh presidenti turk.

Koronavirusi, Gjermania rishikon masat

Gjermania rishikon masat kundër pandemisë këtë të dielë, por në konferencën me mediat, kancelarja Merkel nuk u shpreh optimiste për lehtësimin e tyre. “Ne nuk fitojmë gjë nga një dalje e parakohshme nga bllokimi i pjesshëm në të cilën Gjermania ka qenë që nga fundi i vitit të kaluar”, tha Merkel. Fjalën e fundit e kanë kryeministrat e 16 rajoneve, por sikurse u shpreh ministri i Shëndetësisë Jens Spahn, një lehtësim do të kërkohet kur infektimi të jetë 50 persona për 100 mijë banorë.

Thatësirë në Torino, Juventus kalon në finalen e Kupës

Nuk ka përmbysje. Juventus arrin për të 21-tën herë finalen e Kupës së Italisë. Në “Allianz Stadium”, përballja e dytë gjysmëfinale mes bardhezinjve dhe Inter u mbyll me rrjeta të paprekura. Zikaltrit e Antonio Contes provuan shpesh thyen mbrojtjen e “Zonjës”, por gjetën përballë një mur me të vërtetë të pakalueshëm. Rastet më të shumta janë të tyre në 45 minutat e para, ndërsa Juventus administronte minutat dhe shfaqej e rrezikshme në kundërsulm me Cristiano Ronaldon. Një episod në zonën e torinezëve, me sulmuesin e Inter, Lautaro Martinez që kërkon një 11-metërsh, u gjykua saktë nga arbitri kryesor që lejoji lojën të vazhdonte.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli