Kishin “harruar” paratë, Kuvendi jep fondet për partitë

Komisioni i Ligjeve miratoi fondin prej 130 milionë lekësh për partitë politike të cilat do t’i shpenzojnë për fushatën zgjedhore për 25 prillin. Ky vendim i Komisionit ishte një korrigjim i fondeve të planifikuara në buxhetin e vitit 2021. Ministria e Financave duket se kishte harruar detyrimet në bazë të Kodit Zgjedhor, që kërkojnë një zë të posaçëm mbi shpenzimet në fushatë elektorale.  

Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi fondet për partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. 130 milionë lekë do të jetë shuma në total që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë në dispozicion për fushatën e partive, të cilat vetë politika kishte harruar t’i jepte. 

Në relacionin e dokumentit të miratuar shprehet qartë se këto para duhet të ishin alokuar që në muajin nëntor 2020 kur kaloi buxheti vjetor për vitin 2021, por një gjë e tillë nuk ishte bërë. Të njëjtin shqetësim ngriti edhe socialisti Bashkim Fino në komision, madje duke cilësuar edhe absurd vendimin që Komisioni duhet të korrigjojë buxhetin pa një akt normativ. 

“Që të prishet buxheti duhet një akt normativ nga qeveria. Ne nuk marrim vendim. Ne thjesht i themi Ministrisë së Financave, ju keni bërë një gabim në planifikimin e fondeve dhe meqenëse ka një kërkesë nga KQZ, ju lutem, jo 65 milionë lekë për partitë politikë, por duhet të jepni 130 milionë lekë. Pra, zoti Kryetar ne po kalojmë një kërkesë nga KQZ-ja dhe mua më duket absurde kjo që po kalojmë”, tha Fino.

Pavarësisht kundërshtive, deputetët dhanë votën pro ndaj projektvendimit pasi vetë Kodi Zgjedhor ka përcaktuar shumën që shteti duhet të paguajë për fushatën zgjedhore.