KQZ firmos kontratën, nis puna për identifikimin elektronik të votuesve

Zgjedhjet e 25 prillit do të sjellin për votuesit shqiptarë jo vetëm ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga lista të mbyllura në të hapura, por edhe identifikimin elektronik të tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur punën për zbatimin e këtij projekti që politika ia la detyrë me marrëveshjen e arritur në 5 qershor.

Zëvendëskryetarja e KQZ-së, Lealba Pelinku tregon për A2 se kjo risi në zgjedhje do të ketë efekt pozitiv në vetë kredibilitetin e zgjedhjeve.

“Futja e teknologjisë në zgjedhje shmang një sërë problematikash që i kemi parë në zgjedhjet e mëparshme. Si votimi i shumëfishtë, votimi familjar, të votuarit në emër të tjetër kujt. Kështu që do të ketë një efekt shumë të rëndësishëm në rritjen e standardit apo në realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Lealba Pelinku.

Kjo pajisje do të jetë në të gjitha qendrat e votimit dhe një nga mundësitë që KQZ është duke shqyrtuar është vendosja e asistentëve teknik në të gjithë vendin.

“Dita e votimit parashikon një suport të skematizuar të kompanisë e cila do të mundësojë të gjendurit pranë çdo qendër votimit në çfarëdo lloj eventualitetit që mund të ketë përdorimi i pajisjes”, tha Pelinku.

Pajisja do të lexojë dokumentin biometrik të votuesve. Por për një pjesë të madhe të shqiptarëve këto dokumente kanë skaduar dhe numri dy i KQZ-së kërkon hapa konkret nga Ministria e Brendshme.

“Është ky institucion që duhet të marrë masat duke filluar nga fushatat, pse jo të parashikohen nga qeveria skema subvencioni për shtresat në nevojë në mënyrë që të ulet sa më shumë numri i personave sepse në fund të ditës kjo përbën një arsye për të mos ushtruar të drejtën e votës. Deri në 25 prill parashikohet të skadojnë 1,2 milionë”. Për sa i përket dy projekteve pilotë për votimin dhe numërimin elektronik procesi duhet edhe më i vështirë pasi koha është drejt skadimit.