Marrëdhëniet Turqi-Greqi, Erdogan mesazh për Mitsotakis: Nëse do dialog, mos provoko!

Ashpërsohen përsëri tonet mes Ankarasë dhe Athinës dhe këtë herë, kritikat hapur dhe me tone jo të qeta, i ka bërë drejtpërdrejt presidenti Erdogan.

Akuzat për kryeministrin grek i kishte më të ashpra se për delegacionin që përfaqësoi Greqinë në bisedimet për detin.

“Mitsotakis më sfidoi. Si mund të ulemi me ju në bisedime pasi më sfiduat në këtë mënyrë? Së pari, njihni limitet tuaja. Nëse vërtet kërkoni paqe, atëherë mos më sfidoni. Njihni limitet. Nëse nuk dini limitet tuaja, atëherë keni hequr dorë nga negociatat. Atëherë po largoheni nga tryeza e bisedimeve”, tha Erdogan.

Të hënën, liderët e Greqisë dhe Qipros thanë se do të njohin e pranojnë një marrëveshje paqeje për ishujt në Mesdhe, bazuar vetëm mbi rezolutat e Kombeve të Bashkuara, duke refuzuar hapur 2 formulat shtetërore, të mbështetura nga Turqia dhe qipriotët e Turqisë.

“Kur shihni deklaratat e fundit të autoriteteve greke dhe qipriote greke, shihni se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimin e tyre, duke shpërfillur totalisht qipriotët turq. Nuk ka më zgjidhje të ofruar vetëm nga një palë, por vetëm zgjidhje 2 shtetërore, ju pëlqen juve apo jo”, shtoi presidenti turk.

Erdogan mohoi çdo lajm për një takim të mundshëm mes tij dhe Mitsotakis, pavarësisht se palët do të takohen përsëri në mars, në prani të zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara.