Masat e reja, kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve: Nuk e shtrëngojmë dot më shumë rripin

Bizneset e shërbimeve dhe kryesisht baret dhe restorantet janë sektori që ka vuajtur më shumë orën policore. Sot është njoftuar një shtrëngim tjetër i masave, por cili pritet të jetë ndikimi?

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë periudhës së karantinës, xhiro e aktivitetit të bareve dhe restoranteve ra me 55,2%, ndërkohë që nuk u arrit të rikuperohej as pas hapjes së ekonomisë. Edhe në tremujorin e tretë, që përkon me periudhën e verës, xhiro në këto biznese pësoi një rënie prej 24,9%.

Për Enri Jahajn, kryetarin e Shoqatës së bareve dhe Restoranteve, zgjidhja e ekspertëve të shëndetësisë duke mbyllur lokalet në orën 20:00, nuk do të ndihmojë në luftën kundër pandemisë.

“Ka shumë gjasa që kjo të krijojë një efekt “hinke”, pra që të kemi mbipopullim të njerëzve në bare dhe restorante në orët e lejuara, dhe mbyllje të parakohshme”, tha Jahaj. “Do të kemi një humbje 20% të xhiros sonë. Rripi ynë ka vajtur në fund, nuk kemi ç’të shtrëngojmë më, tani vetëm të shtrëngojmë dhëmbët”.

Sipas Jahajt, sektori deri tani ka punuar me 50% të kapacitetit. “Nga pandemia jemi goditur tmerrësisht shumë, sepse për 3 muajt që kemi qenë të mbyllur, ndihmesa ka qenë vetëm për punonjësit tanë, ndërsa për bizneset tona nuk është bërë asgjë. Një tjetër sektor që numërohet me gishtat e dorës, por që është shumë e rëndësishme, klubet e natës, që nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Për këta thuhet ç’është ky luks i tepërt…”, u shpreh ai.