Mashtronte qytetarët nëpërmjet “Facebook”-ut, arrestohet 19-vjeçari

Facebook 1100x620

Policia në Shkodër ka vënë në pranga një 19-vjeçar, i cili akuzohet për “mashtrim kompjuterik”.

Policia bën të ditur se një profil në rrjetet sociale kërkonte një ndihmë financiare prej 25 000 eurosh, në emër të një shtetasi që kishte probleme shëndetësore, ndërkohë që ky shtetas nuk kishte njohje me emrin e shtetasit që paraqitej në profilin e rrjetit social.

Policia vuri në pranga shtetasin J. M., 19 vjeç, si dhe procedoi penalisht shtetasin E. P., 22 vjeç.

“Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas kishin hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, me qëllim mashtrimin e shtetasve që dëshironin të jepnin ndihma financiare për persona të ndryshëm. Nga këto profile, ky shtetas kërkonte ndihma financiare për persona që kishin probleme shëndetësore dhe u nevojitej ndihmë financiare nga qytetarë të tjerë. Gjatë komunikimit, ky shtetas u dërgonte dhe të dhënat se ku do të dërgoheshin këto ndihma financiare. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e dërguara nga ky shtetas i përkisnin një shtetasi tjetër, i cili do të bënte të mundur tërheqjen e ndihmave financiare. Pas realizimit të operacionit u konstatua se ky shtetas kishte hapur 10 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale”, bën të ditur policia.